E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fundjava sjell premierën e shumëpritur në Teatrin e Operas

 

TIRANE-Premiera e baletit "Carmina Burana" do të çelë në 4 tetor sezonin e ri artistik në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Kompozuar nga gjermani Karl Orff në vitin 1936, "Carmina Burana" vjen e përshtatur në një version ndryshe për skenën shqiptare nga koreografi Arian Sukniqi. Sukniqi tha dje se "shfaqja do të zhvillohet në formën e një musicali, nën një gjuhë koreografike me dominancë neo-klasike, si një performancë ku janë të njësuara baleti dhe kënga". Ai tha se individi dhe raporti i tij me fatin, i predikuar e shtjelluar edhe në 25 këngë kishtare, mban gjithë zhvillimin e veprës, e cila nuk ka një subjekt të mirëpërcaktuar. Rreth 150 artistë do të angazhohen në këtë produksion, të cilin Sukniqi e quan një "variant tërësisht tonin dhe të pa tentuar më parë". "Një mori skenash koreografike do të ndryshojnë sipas këngëve dhe pjesa tjetër e teknikës do të sjellë një spektakël që i afrohet përmasave të musicalit. Tani jemi në fazën përfundimtare të punës, jemi duke u marrë me orkestrën dhe të gjithë janë të angazhuar. Besoj se do jetë një show i vërtetë", - tha ai. Sipas Sukniqit, protagonistët duhet të kujdesen shumë për t'u përshtatur me gjithë pjesën e objekteve, të cilat nuk do të jenë thjesht në funksion të koreografisë, por të komunikimit tërësor. Në këtë produksion, të konceptuar në 25 pjesë, do të angazhohen shumë solistë, ku kënga dhe baleti janë të njësuara. Në rolet kryesore interpretojnë këngëtarët e talentuar. Erlind Zeraliu dhe Erjona Gjyzeli dhe balerinët. Dion Gjinika, Erald Zela, Suela Guri, Elona Nallbani, Elona Dervishi, Fatos Alla, ndërsa orkestra e TKOB do të dirigjohet nga italiani Fabio Pirona. "Janë një kastë artistësh të rinj që kërkojnë të futen në treg", - shprehet Sukniqi. Skenografia është realizuar nga Arlind Halili, e cila është tërësisht në funksion të veprës, ndërsa Dritan Lumshi do të drejtojë korin, i cili do të këndojë tekstin origjinal në latinisht. "Deri më sot kjo pjesë është vënë në variante nga më të ndryshmet dhe është bërë pjesë e repertorit në shumë teatro prestigjioze të botës, pasi është një vepër që të lë hapësirë për të punuar", - u shpreh Sukniqi. Vepra vjen në një stil kontemporan, ku artistët do të jenë protagonistë të gjithçkaje, përfshirë edhe ndërrimin e skenave të pjesës. "Carmina Burana" është historia e një të riu në kërkim të dashurisë si një forcë madhore.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb) 



Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›