E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panairi i Tiranës, botuesit bëjnë gati botimet e reja

 

TIRANE-Këtë vit, libri shqip do të ekspozohet në një tjetër ambjent në Tiranë. Për pesë ditë, botuesit shqiptarë do të ekspozojnë titujt e rinj dhe veprat më të spikatura në Panairin e 11 të librit që do të mbahet në ambjentet e Pallatit të Kongreseve. Rreth 150 shtëpi e ente botuese, agjenci shpërndarjeje libri, studio grafike e diskografike, shtypshkronja, organizata që kanë si objekt kryesor të punës së tyre librin pritet të marrin pjesë në Panairin e Librit "Tirana 2008" që do të organizohet nga 14-18 nëntor. Organizatorët e këtij evenimenti kanë bërë dje publike nisjen e përgatitjeve dhe objektivat e këtij edicioni.
"Gjatë ditëve të panairit, nga organizatorët, ekspozuesit dhe krijuesit, në mjediset e panairit, do të organizohen konferenca shtypi, paraqitje librash, biseda e debate me lexues e dashamirës të librit, takime me shkrimtarë etj", ka thënë dje kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Fatmir Toçi.
Sipas organizatorëve edicioni i këtij i viti i Panairit të Librit ka si objekt paraqitjen e botimeve më të mira të hedhura në qarkullim vitin e fundit. Organizimi i një veprimtarie të tillë do të bashkojë rreth vehtes të gjithë njerëzit që merren me letrat shqipe: autorët, botuesit, lexuesit, përfaqësuesit e shtypit e medias etj., me synimin për krijimin e zhvillimin e kontakteve tradicionale midis tyre, duke synuar promovimin dhe nxitjen e leximit në masat e gjera, veçanërisht të rinisë, në kushtet e mungesës së plotë të sistemit të shpërndarjes së librit në vendin tonë. Gjatë ditëve të panairit, në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore të Tiranës dhe rrethit, do të organizohen vizita të organizuara nga nxënësit e shkollave të të gjitha niveleve, si pjesa më masive e interesuar për librin.
Panairi i Librit "Tirana 2008" është i 11-ti që zhvillohet radhazi në qytetin e Tiranës. Organizimi i tij është ngjarja më e madhe kulturore në punën me librin që zhvillohet jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por në gjithë hapsirën shqiptare, ku përfshihen Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe diaspora. Në një kohë që veprimtari të tilla me librin, nën organizimin dhe kujdesin e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, organizohen edhe në qendra të tjera të rëndësishme shqiptare, si Prishtina, Tetova, Ulqini, qytetet universitare të Shqipërisë dhe ato turistike gjatë periudhës së verës.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›