Gjirokastër, çelet ekspozita me punime vetjake të piktorit Ahmeti
GJIROKASTËR- Piktori i njohur Bashkim Ahmeti, ka prezantuar punët e tij të fundit në Gjirokastër në kuadër të një sërë aktivitetesh të organizuara me rastin e “Ditëve Ndërkombëtare të Trashëgimnisë Kulturore”, nga Bashkia e Gjirokastrës. Malli për Gjirokastrën muzeale, është shuar me çeljen e ekspozitës vetjake duke shprehur në këtë mënyrë dashurinë për qytetin e gurtë e njëkohësisht gjenerimin e artit figurativ dhe çuarjen para të talenteve që nuk mungojnë. Ekspozita çeli siparin e aktiviteteve në Kalanë shekullore, ku piktori i mirënjohur Ahmeti u prezantua me një sërë punimesh të ndryshme. Punimet i përkasin një periudhe tre vjeçare kohë në të cilën vetë piktori i ka kushtuar një vëmendje krijimtarisë së tij për Gjirokastrën. Në ekspozitën e djeshme Ahmeti ka sjellë për artdashësit e pikturës 60 punime në të cilat spikatnin peizazhet e qytetit të gurtë, por nuk mungonin edhe piktura të tjera të krijimtarisë së piktorit në vite. Vetë ai është shprehur i entuziazmuar duke theksuar se, “edhe gjatë periudhës së ardhshme do të ndalet më shpesh në vendlindje për të kontribuar në promovimin e vlerave artistike, të cilat Gjirokastra i meriton me plot kuptimin e fjalës”.
(a.r/news24/balkanweb)