E Diel, 1 Nëntor 2026

Artizanet mësyjnë pazarin e Gjirokastrës

Nga Ismail Xhaferri
Ditët e Trashëgimisë kthejnë traditën e zejeve.Gdhendjet në gur e dru të panoramave të qytetit, qëndismat me gjilpërë, ato në makinë apo me grep, si dhe punimet në hekur mbizotërojnë në panair. 

GJIROKASTER- Pas një përgjumje të gjatë, rikthehet në Gjirokastër nga bashkia e qytetit, tradita e zejeve, traditë e cila për dekada me radhë ka qenë karakteristikë dalluese për qytetin, madje edhe burim punësimi dhe fitimi. Për tri ditë me radhë, në rrugët karakteristike të pazarit janë ekspozuar 100 lloje punimesh në dru, gur, hekur, tekstile etj, punime që kanë tërhequr jo vetëm vëmendjen e banorëve të Gjirokastrës, por edhe festivalistëve nga shtetet e Ballkanit, turisëtve që ndodhen këto ditë në qytet etj. Në panair kanë marrë pjesë dhe kanë ekspozuar punimet e tyre artizanë nga Gjirokastra, Saranda, Elbasani, Korça, Përmeti, Tepelena, Durrësi, Tirana etj, duke ngjallur interes të madh tek blerësit, veçanërisht ata të huaj. Panairi i zejeve në zonën muzeale ka ringjallur shpresën dhe ka rikthyer besimin tek banorët, për gjallërimin e kësaj zone, e cila për dekada me radhë ka mbijetuar nëpërmjet shitjes së prodhimeve artizanale që dikur ishin të kërkuara. Nga mjeshtrit e dikurshëm të qytetit argjendarë, drugdhendës, e gurgdhendës kanë mbetur fare pak, por rritja e kërkesës për prodhimet e tyre, shërben si nxitje që një kategori e caktuar t'i rikthehet punimeve artizanale.
Brenda programit të Ditëve të Trashëgimisë Kulturore, organizmi i panairit të zejeve ishte pika kulmore, dhe kjo u duk në numrin e madh të vizitorëve të shumtë që mbushën qafën e pazarit. "Nuk është e rastësishme mbajtja e një panairi të tillë në këto ditë, pasi punimet artizanale janë pjesë e traditës dhe trashëgimisë kulturore të qytetit", - tha kryetari i bashkisë, Flamur Bime. Të ekspozuara në të dy anët e pazarit, punimet krijuan një tjetër atmosferë në qendrën muzeale, duke nxjerrë më në pah vlerat e mëdha të saj. E ndërsa shikon punimet e ekspozuara, të krijohet ndjesia dhe përjetimi i kohëve të kaluara, kur pazari pushtohej nga zhurmat e çekiçëve apo thirrjet e ustallarëve, për të reklamuar mallin e tyre.
Rizgjimi i pazarit
Një ndihmesë të madhe në rizgjimin e pazarit ka dhënë bashkia e Gjirokastrës, duke stimuluar tregtarët të çelin aktivitete aty. Kjo gjë është ndikuar nga aplikimi i taksave mjaft të ulëta për këtë zonë. Shumë tregtarë shprehen të kënaqur me politikat e zbatuara nga bashkia e qytetit. Hapja e ekspozitave, apo panaireve në ditë të veçanta si këto të trashëgimisë kulturore, shërben si një tjetër nxitje për mjeshtërit e punimeve në gur, në dru, hekur e në qëndistari. Dhjetëra punime cilësore të prodhuara vite më parë apo të dala nga duart e mjeshtrave kohët e fundit, nuk janë më të ekspozuara vetëm në një dyqan të çelur nga organizata e MRGJH, por janë shtrirë në të gjithë pazarin. Gdhendjet në gur e dru të panoramave të qytetit, qëndismat me gjilpërë, ato në makinë apo me grep, si dhe punimet në hekur mbizotërojnë në panair. Vetë artizanët apo personat që kujdesen për to shprehen se këto punime janë më të kërkuarat edhe nga vizitorët, si dhe dhurata më e mirë që një banor mund t'i bëjë miqve të tij.
Pak historik
Megjithëse kanë kaluar shekuj nga ndërtimi i qytetit dhe emrat e mjeshtrave të parë kanë humbur në shekuj, qyteti vazhdon të krenohet me traditën e vet. Guri me të cilin është ndërtuar kështjella, por edhe shtëpitë më pas, kanë vulosur emrin e një qyteti të njohur për banesat karakteristike dhe kalldrëmet e tij. Bashkë me rritjen dhe formimin e qytetit, një zhvillim të madh njohën edhe zejet, që u vendosën në pazarin e Gjirokastrës, i themeluar para 400 vjetësh. Nuk dihet i saktë viti kur filloi se funksionuari ky pazar, por në bazë të dokumenteve përfundoi së ndërtuari në vitin 1700. Vetëm brenda pazarit kishte mbi 80 dyqane, ndërsa i gjithë qyteti numëronte plot dyqind të tillë. Pazari karakteristik është djegur masivisht mbi 3 herë dhe pas viteve 1970 është restauruar plotësisht, 3 herë deri në vitin 1986. Pazari i Gjirokastrës nuk është kuptuar asnjëherë pa dyqanet e shumta dhe tregtimin e prodhimeve artizanale, një traditë që gjithsesi ka filluar të rikthehet.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›