E Diel, 1 Nëntor 2026

Catherina Zeta Jones, si i sheh shqiptarët!

Ekipi i filmit “Shqetësimet e obezit”, me regji të Pluton Vasit “fluturon” sot në Angli, si ndër tre të nominuarit më të mirë, për kupën angleze të edicionit të katërt të Festivalit të Filmit Swansea Bay, që do të zhvillohet nga datat 30 maj-6 qershor në Uells në Britaninë e Madhe, një festival që organizohet me mbështetjen e aktores hollivudiane Catherine Zeta Jones dhe Michael Sheen OBE

* * * *

“Shqetësimet e një obezi”, filmi më i ri i regjisorit Pluton Vasi është nominuar ndër tre filmat më të mirë në edicionin e 4-të Festivalit të Filmit Swansea Bay që do të zhvillohet nga datat 30 maj-6 qershor në Uells në Britaninë e Madhe, një festival që organizohet me mbështetjen e aktores hollivudiane Catherine Zeta Jones dhe Michael Sheen OBE. Filmi artistik i regjisorit Pluton Vasi është nominuar si më i miri për kategorinë e filmave me metrazh nën 75 minuta. Në faqen zyrtare të këtij festivali, i pari në këtë kategori renditet filmi Ruth (56 minuta) i regjisorit izraelit Keren Abitan, “The concerns of an obese”, (69 minuta) i regjisorit shqiptar Pluton Vasi dhe “The Art of Kissing”, (73 minuta) i regjisorit amerikane Joseph Campo. Kjo nuk është hera e parë që Vasi, i cilësuar në Shqipëri si një regjisor që ka sjellë një erë të re në filmin shqiptar, merr pjesë në evenimente botërore të filmit, kur shumë herë ai është nderuar edhe me çmime. Festivali që do të kulmojë më 6 qershor me një mbrëmje gala të shpërndarjes së çmimeve, pritet të sjellë një rekord në numrin e filmave të paraqitur, mbi 100 filma.

Gjatë javës së festivalit organizatorët mendojnë të paraqesin për publikun një numër sa më të madh filmash, që do të shfaqen “free” për publikun në “Dylan Thomas Centre”.

Konkurrentët në këtë festival janë jo vetëm regjisorë me emër, por dhe regjisorë të rinj dhe studentë, të cilët prezantohen me gjini të ndryshme filmash si dokumentarë, horrorë, të animuar, video etj., me kohëzgjatje nga 5-113 minuta.

Yje të Hollivudit do të marrin pjesë në Festivalin e Filmit Swansea Bay, që mbështetet nga Catherine Zeta Jones dhe Michael Sheen OBE. Ndër të ftuarit veçohen fituesi i çmimit Oscar Marcia Gay Harden, Nick Nolte, Joan Rivers Steve Guttenberg, por edhe të mirënjohurit Julia Roberts dhe Richard Geer.

Përgjatë javës së festivalit janë parashikuar workshop-e mbi prodhimin e filmave te drejtuara nga JF Laton - skenarist dhe regjisor i “Pretty Woman” (Gruaja e bukur) si dhe shfaqje filmash pa pagesë në Qendrën “Dylan Thomas”.

Swansea Bay Film Festival është një ndër festivalet më të njohur të kinematografisë botërore, që siç cilëson drejtori Michael Attard, është më i mirë se ai i Kanës.

Festivali i dedikohet kryesisht filmit të pavarur dhe eksperimental dhe qëllimi i tij është të promovojë talentet ndërkombëtare në fushën e aktrimit dhe të filmbërjes (regjisorë, aktorë, skenaristë). Ky është një festival që premton të "respektojë zërin individual" dhe organizatorët presin edhe më shumë vizitorë se në edicionet e mëparshme.

Qëllimi i tij është të paraqesë një forum publik të gjerë për prodhuesit e pavarur dhe eksperimentalë të filmit dhe të ofrojë një shtrirje edukative. Festivali i filmit Swansea Bay është një festival kualifikues për çmimin e filmave të pavarur britanikë.

Organizatorë të kësaj ngjarjeje janë akademia e medias, incizimit, interaktive, televizionit dhe arteve skenike (AMRITSA) si dhe "Komiteti për përzgjedhjen speciale", i cili përbehet nga prodhues filmash, përfaqësues nga Qendra “Dylan Thomas”, departamenti i edukimit të të rriturve etj.

Filmi i Vasit

Premiera e filmit “Shqetësimet e një obezi”, me regji dhe skenar të Pluton Vasit, u shfaq në Tiranë më 16 dhjetor të vitit të kaluar, jo zyrtarisht, por mes një grupi miqsh. Ndërkohë që premierën zyrtare, regjisori tha se do ta projektojë në shtator.

Ky film, ndonëse i shfaqur në një rreth të ngushtë, ka marrë vlerësimet paraprake, duke u cilësuar si një film që merret jo vetëm me të tashmen dhe të shkuarën me ngjyra sa reale aq edhe groteske, por edhe tërheq kërshërinë e shikuesve përmes një objektiviteti më therës sa edhe alegorikë. Pavarësisht se filmi zhvillohet në Shqipëri, ai duket se ndodh kudo, kjo falë këndvështrimit regjisorial i cili nuk rreket të rrëfejë përmes një gjuhe filmike të veçantë duke “përçmuar” idenë fikse të të huajve se jemi një vend ekzotik për këso veprimtarish shpirtërore.

Filmi që ka si protagonistë aktorët Xhevahir Zeneli, Marjana Kondi dhe Arben Derhemi rrëfen dilemën e brendshme të një gazetari. Ai, teksa realizon një dokumentar mbi personalitetin e njeriut në Shqipëri, gjendet përballë njerëzish me personalitete të dyzuara, çka e shtyn të kuptojë se tek e fundit edhe ai vetë është i përfshirë në këtë vorbull. E ndërthurur me personazhin kryesor, një pjesë e rëndësishme e filmit është dhe arkiva e pasur me pamje filmike të hershme. Filmi merr përsipër që të thotë të vërtetën dhe me arshivën e përdorur me shumë profesionalizëm nga Vasi, por veçanti e këtij filmi është edhe teknika e realizimit, e pasur me ngjyra të mbushura me personifikime.

Në fakt e gjithë arshiva është një e shkuar, por aty ka edhe një të sotme. Teknikat nuk janë përdorur me mendimin për të bërë përshtypje. Pluton Vasi është autor i shumë filmave dokumentarë, ndër të cilët përmenden “Lojë botash”, “Mjekër e thinjur”, “ǒdo të thotë”, "Kënga”, "Gjitoni", filma që janë vlerësuar me çmime të rëndësishme, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. "Kënga" u nderua me çmim të parë ndër një mori filmash dokumentar nga e gjithë bota në Festivalin Botëror të Arshivës për Filmin Dokumentar, zhvilluar në Badenbaden të Gjermanisë në korrik '97. Dokumentari "Kënga", përmes një trajtimi bashkëkohor jep historikun tragjik të këngës shqiptare deri në prag të Festivalit të Këngës në Radio-Televizion, organizuar në 1996. Në qendër të dokumentarit autori ka vendosur një nga zërat e pavdekshëm të muzikës së lehtë shqiptare, Artisten e Popullit, Vaçe Zela. Specialistët më në zë në botë e kanë konsideruar këtë dokumentar si një kombinim mjaft të arrirë të materialit arshivor dhe një trajtim të ri të cilin producenti ka arritur ta japë me një dimension krejt origjinal në këtë gjini.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›