E Shtunë, 31 Tetor 2026

Walker: Shqiptarët të votojnë Sali Berishën

Intervistë me ish-shefin e OSBE-së në Kosovë, z. William Walker

“Durrës-Kukës”, rruga e shqiptarëve për në Evropë

Një kujtesë prej diplomati karriere se më 28 qershor, shqiptarët duhet të votojnë Sali Berishën. Wiliam Walker, ish-ambasadori i OSBE-së në shumë vende të botës, përfshi dhe Kosovën në momentet e luftës, gjendet në Tiranë i ftuar në ceremoninë e hapjes së tunelit të rrugës kombëtare “Durrës-Kukës-Morinë”. Në këtë intervistë ekskluzive për “standard”, z. Walker thotë se është një admirues i punës së z. Berisha dhe një ndër to, përmend edhe veprën gjigante, të cilën ai e quan si rrugën e shqiptarëve drejt Evropës. Diplomati amerikan, me një karrierë të gjatë në Ballkan, përfshi dhe kohën e vështirë të luftës në Kosovë, z. Walker, ka bindjen e plotë se përpjekjet e z. Berisha për futjen e Shqipërisë në NATO, do ta shtyjnë shumë fort edhe hyrjen në Bashkimin Evropian. William Walker është ambasadori që i tregoi botës të vërtetën e hidhur të 15 janarit të ‘99-ës, masakrën e Reçakut. Kujtimet e tij janë të përbashkëta me ato të popullit të Kosovës. Të hidhura, por që gëzimi i pavarësimit të tyre ka lënë pas të shkuarën. Ai bën një analizë të të gjithë procesit të njohjes së Kosovës shtet, për të cilin ka dhe rezerva, por vlerëson rolin e diplomacisë shqiptare, si një shtysë të fortë për njohjen nga sa më shumë vende të botës të pavarësisë së Kosovës.

* * * *

Z. Ambasador, pse gjendeni sot në Shqipëri?

Arsye e ardhjes sime në Shqipëri është që të shoh hapjen e tunelit të rrugës “Durrës-Kukës-Morinë”. Por edhe që të takoj liderët shqiptarë, Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha dhe Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, në ceremoninë e hapjes.

Çfarë dini për rrugën “Durrës-Kukës-Morinë?

Ky është një projekt shumë ambicioz i qeverisë shqiptare dhe unë e shoh këtë rrugë jo vetëm si lëvizje mes dy pjesëve të kombit shqiptar, por e shoh si një projekt që lidh Shqipërinë me Evropën.

Megjithatë, këtu në Shqipëri kemi një opozitë të majtë që akuzon vazhdimisht për mënyrën se si është ndërtuar rruga...

Unë e kam kuptuar që në fillim që ka pasur shumë opozitë për ndërtimin e kësaj rruge dhe është quajtur dështim dhe si humbje e parave të mëdha kombëtare për ndërtimin e saj. Por këtë rrugë e krahasoj me kanalin e Panamasë. Kur Amerika e ndërtoi kanalin e Panamasë, qeveria është akuzuar rëndë për humbje të parave, për shpenzime të panevojshme dhe se ky kanal nuk ishte i nevojshëm. Mirëpo sot ky kanal nuk është vetëm lidhje e gjithë botës, por është edhe një mënyrë për të fituar para. Është një fitim komercial, industrial dhe përparim për mbarë njerëzimin. Çdo herë kur qeveritë investojnë para të mëdha në një projekt zhvillimor të vendit, në çdo shoqëri demokratike, qeveria akuzohet për korrupsion. Dhe gjithmonë kur qeveritë harxhojnë shumë para për ndërtimin e infrastrukturës së madhe. Kjo ka ndodhur edhe këtu tek ju, ku qeveria është akuzuar për korrupsion. Por e vërteta është se Sali Berisha, Kryeministri i vendit, e ka luftuar në mënyrë të rreptë korrupsionin. Nuk është e thënë që e ka mundur korrupsionin, por e ka luftuar në mënyrë të pandërprerë dhe ky fakt është i njohur si për vendasit, ashtu dhe për ndërkombëtarët.

Po ndërtohet një autostradë që bashkon fizikisht shqiptarët e dy shteteve, por realisht cili është përfitimi i tyre prej “Durrës-Kukës-Morinë”?

Fundi i gjithë kësaj është se do të ndërtohet një autostradë e mrekullueshme, që do të lidhë Shqipërinë me Kosovën dhe Evropën. Kjo është përfundimtarja. Jo vetëm se kjo rrugë bashkon shqiptarët e dy shteteve, ndërlidhje të qarkullimit midis Kosovës dhe Shqipërisë, por ajo çfarë kjo rrugë ka më shumë rëndësi është sepse e lidh Shqipërinë me Evropën. Kjo është porta e Shqipërisë me Evropën dhe porta e Evropës është Shqipëria. Përveç kësaj, kjo rrugë ndikon ndjeshëm në zhvillimin e përgjithshëm të vendit, jo vetëm të një pjese të popullsisë.

Ju e cilësuat këtë rrugë si porta e Shqipërisë me Evropën. Por, a është Shqipëria në rrugën e mbarë drejt familjes evropiane për sa u përket reformave që kërkohen?

Jam i befasuar për atë çfarë kam parë këto vitet e fundit. Në Shqipëri kam ardhur gjatë luftës në Kosovë, para 10 viteve. Arsyeja ishte se doja të takoja ushtarët e UÇK-së, njerëzit e luftës së Kosovës. Por që nga ajo kohë kam ardhur edhe 4 herë të tjera. Mirëpo nuk dua të fyej askënd kur them se para 10 viteve opinioni i përgjithshëm i Evropës dhe Amerikës nuk ka qenë dhe aq i mirë për shqiptarët. Para 5 viteve erdha këtu me një kompani amerikane, që ka menduar të investojë në fushën energjetike. Deri atëherë ekzistonte paragjykimi negativ për shqiptarët e Shqipërisë se ka shumë korrupsion në vend dhe shqiptarët janë njerëz të korruptuar. Ishte vështirësi t’i bindje ata njerëz që të vinin dhe të investonin në Shqipëri. Por gjatë vizitave të mia të këtyre viteve, shoh që atmosfera ka ndryshuar krejtësisht. Duke marrë parasysh që tashmë korrupsioni është luftuar shumë, krimi po ashtu, pasi është rritur siguria në vend, shumë kompani amerikane kanë shprehur interesimin e tyre për të investuar në Shqipëri. Them me siguri se për të gjitha këto ndryshime pozitive që janë bërë në Shqipëri, qeveria “Berisha” është përgjegjëse e këtij ndryshimi të madh. Mendoj se kjo është arsyeja kryesore e këtyre ndryshimeve të mëdha që janë bërë, që Shqipëria ishte e mirëseardhur në NATO. Tashmë është në rrugën e duhur për të çuar përpara, për t’u bërë anëtare e Unionit Evropian. Komuniteti ndërkombëtar ka krijuar një tjetër bindje për Shqipërinë nga ajo që kishte para 4 viteve. Para 4 muajve, kur z. Berisha ishte në Uashington, përveç takimeve mjaft të rëndësishme atje, kishte dhe një pritje të veçantë nga senatori Lugar, që është më i respektuari në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai jo vetëm e ka falënderuar z. Berisha për punën e madhe që ka bërë në krye të qeverisë, por ka shfaqur një optimizëm shumë të madh dhe pakkush e ka ëndërruar që Shqipëria një ditë do të arrijë këtu ku është, mjaft e suksesshme në drejtim të reformave.

Referuar këtyre reformave, besoni se Kryeministri Berisha e meriton një mandat të dytë qeverisës më 28 qershor?

(Qesh). Nuk jam një parashikues i mirë i zgjedhjeve. Nuk kam shumë talent në këtë drejtim. Por prej asaj çfarë thashë më lart, unë e admiroj shumë Sali Berishën për punën që ka bërë. Sikur t’i lëmë mënjanë të gjitha sukseset e reformave dhe t’i referohemi vetëm ndërtimit të autostradës kombëtare “Durrës-Kukës”, pavarësisht se ajo ka pasur shumë opozitë në këtë drejtim, e pozicionuar kundër ndërtimit të saj. Por tani jam i bindur se ndërtimi i kësaj autostrade është një sukses tjetër i madh i Sali Berishës. Përpos të gjithave, si një njeri që jam jashtë Shqipërisë mendoj se shqiptarët që e kanë parë nga afër ndryshimin përmes qeverisë së tij, duhet ta shohin seriozisht që t’ia japin votat pikërisht Sali Berishës.

Është udhëheqësi i duhur që pasi anëtarësoi Shqipërinë në NATO, mund të anëtarësojë dhe Shqipërinë në Bashkimin Evropian?

Nga përpjekjet e tij që unë kam parë për futjen e Shqipërisë në NATO, unë ju garantoj se Berisha do ta shtyjë shumë fort hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Z. Ambasador, ju flisni me shumë admirim për shqiptarët si këtej dhe andej kufirit, por realisht çfarë ju lidh me ta?

(Qesh). Ndoshta kisha thënë se shqiptarët janë shumë të bukur, shumë të pashëm. Por nuk dua të përqendrohem tek ky fakt. Unë isha në Kosovë në një moment shumë të veçantë. Me shkuarjen time në Kosovë, institucionet ndërkombëtare ishin të qarta për të qenë neutralë midis palëve në luftim. Dhe pranoj se e kam humbur neutralitetin, pasi i tregova botën të vërtetën, për genocidin që ka ndodhur në Kosovë. Veprimet e mia të asaj kohe kurrë nuk më kanë lënë të kuptoj se ky veprim i imi dhe veprime të tjera, do të krijojnë një shtet të ri në botë. Këto veprime na bën të kuptojmë se u krijua një shtet i ri në Evropë dhe unë nuk e kuptojnë veprimin tim. Gjithmonë kam dëgjuar për mikpritjen shqiptare dhe tani pas 10 viteve e kuptoj më së miri mikpritjen shqiptare, por edhe kujtimet e përbashkëta edhe pse të vështira. Jo vetëm shqiptarët e Kosovës dhe këtu në Shqipëri, por sidomos në diasporë ku ka shqiptarë nga të gjitha trevat e saj, edhe ata janë treguar të sjellshëm me mua, madje dhe familjen time.

A mund të na rikujtoni atë çast të hidhur të 15 janarit të

‘99-ës, ditën kur ju patë viktimat e masakrës së Reçakut?

E kam përshkuar shumë herë atë moment dhe sa herë që flas për të, kujtime të zymta, të dhimbshme vijnë brenda meje. Kam qenë dhe në vende të tjera ku kishte luftë, akte dhune, por asnjëherë nuk kam besuar që ka ndonjë pushtet, që mund të bënte atë që bëri Serbia në Kosovë. Unë i pash 45 njerëz të masakruar në një vend, prej një shteti, prej një organizimi shtetëror, ka qenë aq e pabesueshme për mua. Kanë ndodhur në Ballkan vrasje masive, por kam mbetur i shokuar nga fakti se si shteti mundet t’i ekzekutojë 45 veta në një vend dhe të mundohet me çdo mënyrë që të fshehë krimin. Prej 15 janarit të vitit 1999, e deri tani jam përpjekur që në çdo përvjetor të shkoj në Reçak. Çdo herë është e vështirë ta kujtosh atë ditë të Reçakut, por ana tjetër është optimizmi kur sheh çfarë njerëzish kanë rindërtuar jetën dhe vazhdojnë të jetojnë si qytetarë të lirë në vendin e tyre.

Ju ishit dëshmitar i asaj masakre, por si arritët deri tek gjurmët, të cilat serbët bënin çmos t’i fshihnin dhe a u përballët me skeptikët për të vërtetën e hidhur që po i tregonit mbarë botës atë ditë?

Një gjeneral serb na tha se është bërë një luftë në Reçak mes forcave të UÇK-së dhe atyre serbe, por ai përmendte shifrën e 5 vetëve të vrarë. Ne e verifikuam një gjë të tillë në vendngjarje, të cilët erdhën dhe më thanë se aty kishte diçka të dyshimtë dhe është më mirë të shkojmë atje sepse diçka e keqe po ndodh. Atë ditë isha në Malin e Zi dhe kur jam kthyer, verifikuesit shkuan para meje në Reçak të cilët më thirrën të shkoja, pasi sipas tyre, e vërteta nuk është ajo që thoshin serbët. Por aty nuk ishin të vrarë vetëm 5 ushtarë të UÇK-së, por gjithsej ishin 46 veta. Ishin pleq, të rinj, mes tyre edhe femra. Ishte një masakër e vërtetë. Fillimisht Beogradi paraqiti një version të ngjarjes, që ishte krejt tjetër nga ai që unë pash me sy. Versioni im personal ishte i besueshëm për disa arsye, sidomos për të kaluarën e ushtrisë serbe se çfarë ajo kishte bërë në Bosnje dhe Kroaci dhe bota e besonte se kishim të bënin me një genocid të vërtetë. Jo vetëm atëherë kur unë dhashë versionin e ngjarjes kishte skeptizëm, por edhe gjatë këtyre 10 viteve gjithmonë ka njerëz që vijnë me një version të ndryshëm të ngjarjes, të pavërtetë rreth masakrës. Por nuk ka pasur asnjë grup serioz që nuk e ka besuar të vërtetën e Reçakut.

10 vjet pas asaj masakre, Kosova është shtet dhe e pavarur. Por a ishte i vonuar pavarësimi i saj?

Është, madje shumë e vonuar. Kosova duhej të shpallte pavarësinë e saj në fund të vitit 1999. Komuniteti ndërkombëtar pa asnjë nevojë e ka mbajtur për gjithë këto vite Kosovën larg pavarësisë. Unë kam qenë shef i misionit verifikues në Slloveninë Lindore dhe atje ky mision ka qëndruar dy vjet dhe pas dy viteve ai territor iu rikthye qeverisë së Zagrebit. Sinqerisht besoj se me gjithë ndihmën që ka bërë komuniteti ndërkombëtar, Kombet e Bashkuara për Evropën, e gjithë ajo ndihmë ka mundur të kryhet për një apo dy vjet. Nuk ka pasur nevojë për 10 vjet si në rastin e Kosovës. Mendoj e ka shumë kosovarë që kanë mundur të bëjnë shumë më tepër se ndërkombëtarët për vendin e vet dhe nuk kanë pasur arsye të presin 10 vjet për pavarësinë e tyre. Megjithatë, të lëmë pas të kaluarën dhe të gëzohemi me faktin se tashmë Kosova është shtet dhe e pavarur, ku të gjithë duhet ta celebrojnë këtë pavarësi.

Ju e keni parë Kosovën në dy gjendje krejtësisht të ndryshme, atë mes luftës, dhe tjetrën mes gëzimit, pavarësisë së saj. Çfarë dallimi gjeni ju tek kosovarët që u njihni dy këto periudha të historisë së saj?

Kur mbërrita për herë të parë në Kosovë para 10 viteve, 90 për qind e kosovarëve iu ishte privuar buzëqeshja. Por tani pas 10 viteve nuk mund të them se ai 90 përqindësh i tyre buzëqeshin pasi përballen me vështirësi të tjera, më tepër sociale, ka krizë, nuk kanë punë. Ata vërtet nuk e kthejnë kokën mbrapa, por duan të jetojnë në kushte sa më të mira. Megjithatë, pavarësisht këtyre halleve, kur ndodhesh në Kosovë, ke ndjesinë se je në Evropë, janë njerëz të lirë. Kur vajta për herë të parë në Kosovë në vitin 1998, shumë nga ne që s’e kishim parë më parë, na dukej sikur ndodheshim në një vend të tretë të botës. Kishte shumë zymtësi, tani ka gëzim sigurisht, sepse kosovarët jetojnë në liri, kanë shtetin e tyre.

Si e konsideroni ecurinë e procesit të njohjes së Kosovës shtet?

Jo, nuk jam i kënaqur. Jam shumë kritik ndaj disa veprimeve të qeverisë së Kosovës, sidomos ndaj veprimeve të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës. Qeveria e Kosovës e ka ditur se pavarësia po vjen dhe duhej të përgatitej më përpara që në momentin e shpalljes, të ishte e gatshme të vepronte, të lobonte nëpër botë, për njohjen e saj nga sa më shumë vende. Janë afër 190 vende të botës dhe unë i kuptoj arsyet e disa vendeve që nuk e pranojnë Kosovën shtet, që kanë pothuajse probleme të njëjta, por nuk e kuptoj arsyen pse shumica e vendeve që nuk kanë probleme të tilla s’e pranojnë pavarësinë e Kosovës. Procesi i përgjithshëm i njohjes ka qenë shumë i ngadaltë por mendoj se muajt e ardhshëm do të ketë njohje të reja sidomos nga Amerika Qendrore, disa vende afrikane etj. Por në përgjithësi ky ngadalësim vjen si neglizhencë e aktivitetit të duhur të qeverisë së Kosovës për përparimin e pavarësisë së Kosovës. Me siguri ju e dini që menjëherë pas pavarësisë së Kosovës, shumica e vendeve të fuqishme të botës, menjëherë e kanë pranuar pavarësinë. Menjëherë pas pranimit të tyre, nuk është dashur të jesh shumë i mençur për të kuptuar që bota tjetër menjëherë duhet ta njihte Kosovën shtet.

Cili është vlerësimi juaj për rolin që ka luajtur diplomacia shqiptare e Tiranës, e cila vazhdon të lobojë në botë për njohjen nga sa më shumë vende të Kosovës shtet?

Para disa muajve kam takuar ministrin e Punëve të Jashtme, z. Basha dhe Kryeministrin Berisha dhe kam parë se janë shumë të brengosur për procesin e ngadalshëm të procesit dhe jam shumë i bindur se ata po bëjnë ç’është e mundur që ta shtyjnë përpara këtë proces. Bindja ime është që ata janë shumë aktivë që ta njohin sa më shumë vende Kosovën e pavarur. E kam parë nga afër ambasadorin e Shqipërinë në OKB, edhe në Uashington, që po bëjnë përpjekje maksimale për pranimin e Kosovës nga shtetet e tjera të botës, duke marrë parasysh që dhe miqtë e Kosovës, si Hillary Clinton etj., njerëz të fuqishëm po punojnë shumë për rritjen e vendeve që njohin pavarësinë e Kosovës. Por mendoj se vetë kosovarët duhet të bëjnë shumë më tepër në këtë proces.

Megjithatë, sot kemi një realitet të ri, dy shtete shqiptarësh në Evropë...

Nuk mund ta shikoj tjetër veçse në një këndvështrim pozitiv, pasi është ngritur gati 100 për qind kapaciteti i shtetit gati të pastër etnikisht shqiptarë. Keni qenë një shtet, jeni bërë dy shtete dhe kjo është mjaft pozitive. Mendoj se Kosovës i shkon shumë mirë që të përcjellë shembullin e Shqipërisë, që të ecë sa më shpejt drejt procesit të anëtarësimit në NATO dhe më pas në Bashkimin Evropian. Është më mirë dy gota sesa një. Për këto veprimet e fundit të shqiptarëve, sidomos pavarësisë së Kosovës, me përparimin e madh që ka bërë Shqipëria, rritjen e vetëbesimit të shqiptarëve këtu dhe në mbarë botën. Në takimin që kam pasur me z. Berisha para pak muajsh dhe mënyra se si ai e ka përshkruar aktin tim kaq heroik, e kam kuptuar se sa i rëndësishëm ka qenë veprimi im jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, por për shqiptarët në të gjithë botën. Kam një bindje gjenerale se shqiptarët kanë shumë më krenari sesa e kanë pasur para 5 viteve dhe kjo është rezultat i veprimeve të Shqipërisë dhe Kosovës gjatë këtyre viteve të fundit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›