Cavani, heroi i ri i Napoli-t

Sulmuesi uruguajanas, Edison Cavani, është shndërruar në heroin e ri të qytetit të Napolit, pas tregolëshit që i dha fitoren skuadrës në përballjen me Juventus-in, ditën e dielë në kampionat.
Kur presidenti De Laurentis premtoi një golashënues që do të ishte në gjendje të shënonte mbi 20 gola në sezon, të gjithë kritikuan zgjedhjen e “El Matador”-it, i cili në dy vitet e mëparshme tek Palermo nuk mundi të kalonte kuotën e 15 golave.
Megjithatë, ndërsa jemi ende në mesin e sezonit, Cavani është autor i 13 golave në kampionat dhe shtatë të tjerëve në Europa League, gola që e kanë ndihmuar skuadrën të kalojë turning e grupeve.
”Mund të kishte shënuar edhe më shumë gola nëse nuk do të tregohej kaq bujar me shokët e tij. Nëse Cavani sheh dikë që është më mirë i pozicionuar, gjithmonë pason”, deklaroi trajneri Walter Mazzari, në shtypin italian.
Lëvizjet e tij e bënë të pafuqishëm mbrojtësin e kombëtares italiane, Chiellini. “Kampionati i këtij sezoni është me të vërtetë i veçantë”, shtoi mbrojtësi Pazienza. “Mund të ndodhë gjithçka. Në fund, diferencën do ta bëjnë detajet. Cavani? Më ka befasuar, nuk e prisja kaq të aftë”.
Ndërkohë, presidenti De Laurentis, iu përgjigj thashethemeve për mundësinë e kalimit të Cavani-t në ndonjë prej klubeve të mëdha duke siguruar se nuk ka ndërmend ta shesë yllin e tij as për 50 milion euro.