Çekia mbështet Shqipërinë në anëtarësimin në NATO

Çekia mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ky premtim i është dhënë presidentit Bamir Topi nga homologu i tij, Vaslav Klasus. Presidenti i Çekisë shprehu vullnetin dhe mbështetjen e palëkundur të vendit të tij për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe për anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.Burime zyrtare të Presidencës bënë të ditur se në këtë takim, presidenti Topi shprehu vlerësimin për mbështetjen dhe angazhimin e Çekisë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe në Aleancën e Atlantikut të Veriut, si dhe për gatishmërinë e institucioneve çeke për të ofruar përvojën e tyre në këto drejtime.Të dy presidentët nënvizuan në takim nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Çekisë dhe shprehën vullnetin për intesifikimin e marrëdhënieve ekonomike, rritjen e investimeve çeke në vendin tone dhe liberalizimin e regjimit të vizave.Presidenti Topi vuri në dukje se: "me gjithë rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike të shënuar gjatë kohëve të fundit, përsa i përket bashkëpunimit ekonomik dypalësh ka ende shumë për të bërë, duke patur parasysh se tradicionalisht Çekia ka qenë një nga partnerët kryesorë ekonomikë dhe tregtar të Shqipërisë. Edhe liberalizimi i regjimit të vizave do t'i shërbente akoma edhe më tej lëvizjes së lirë të njerëzve dhe shkëmbimit të mallrave".Kreu i shtetit shprehu interesimin e palës shqiptare për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit, energjitikës dhe infrastrukturës dhe nevojën e investimeve çeke në këto fusha. Presidenti Klaus vlerësoi rolin konstruktiv dhe moderues të faktorit shqiptar në rajonin e Ballkanit për paqen, qëndrueshmërinë dhe begatinë e tij afatgjatë. Ai siguroi presidentin Topi se Shqipëria do të gëzojë mbështetjen e plotë të Republikës së Çekisë për anëtarësimin sa më të shpejtë në gjirin e familjes së madhe evropiane, kur ajo të marrë presidencën e radhës së Bashkimit Evropian në janar.