Çeku:Hyrja e Serbisë në BE,të kushtëzohet nga njohja e Kosovës
Ish-kryeministri i Kosovës, tashmë kryetari i Partisë Social Demokrate, Agim Çeku, ka kërkuar nga ambasadori i Suedisë në Prishtinë Lars Freden që hyrja e Serbisë në BE të kushtëzohet me njohjen e Kosovës dhe dorëzimin e kriminelit Ratko Mlladic në Hagë. Çeku dhe ambasadori Freden diskutuan për zhvillimet aktuale në Kosovë, me theks të veçantë në integrimet europiane, pasi Suedia në korrik të këtij viti do të marrë kryesimin e radhës së Bashkimit Europian. Çeku u fokusua në disa çështje me interes për Kosovën duke kërkuar nga Ambasadori një fokus të veçantë për ndërtimin e një udhërrëfyesi të qartë për Kosovën drejt BE-së, së bashku me Komisionin Europian, qeverinë e Kosovës, etj. "Ne kërkojmë presion të koordinuar dhe të fokusuar mbi Beogradin, duke theksuar se nuk ka BE për Serbinë pa njohur Kosovën dhe pa dorëzuar Mlladicin para Gjykatës së Hagës dhe nuk ka ndihmë financiare pa e ndalur financimin e strukturave paralele; Ndihmë Kosovës që të ketë më shumë njohje dhe unitet të BE-së lidhur me Kosovën si dhe mbështetje për EULEX-in dhe për Përfaqësuesin Special të BE-së", u shpreh Çeku. Ambasadori Freden i mirëpriti këto sugjerime të kryetarit të PSD-së, Agim Çeku dhe premtoi mbështetje të mëtejshme të Suedisë karshi çështjeve me interes jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit në përgjithësi.