Zvicër,qeveria lehtëson rregullat për sekretet bankare
Qeveria zviceriane ka bërë të ditur se do të lehtësojë rregullat afatgjatë që ka mbi sekretet bankare për të mundësuar që institucionet financiare vendase të bashkëpunojnë me hetimet për personat e dyshuar për evazion fiskal. Zvicra ka qenë nën presion nga vende të ndryshme, përfshirë SHBA-në, Gjermaninë dhe Francën që kërkojnë informacione rreth personave që shmangin taksat që mendohet se kanë fshehur para në llogaritë bankare në Zvicër. "Këshilli federal ka vendosur që Zvicra do të aplikojë standarte relative për bashkëpunimin në administrimin e taksave", deklaroi për gazetarët ministri zviceran i Financave Hans-Rudolf Merx. Takimi i 20 vendeve me ekonomitë më të zhvilluara në botë, që do të mbahet më 2 prill në Londër do të diskutojë edhe mbi parajsat e taksave. Ata i tremben faktit se Zvicra mund të futet në listën e zezë. "Mendoj se Këshilli Federal ka marrë vendimin më të mirë për vendin, sepse ky vendim integron një zhvillim ndërkombëtar dinamik që ndikon në përmirësimin e ekonomisë zvicerane", shtoi Merx. Zvicra është qendra më e madhe financiare në botë, që zotëron rreth dy trilionë dollarë amerikanë pasuri globale. Vendi ka qënë nën një presion të vazhdueshëm ndërkombëtar për zbutjen e rregullave strikte mbi fshehtësinë bankare.