E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelet rruga për privatizimin e hidrocentraleve

Pr/ligji parashikon heqjen e pronësisë së këtyre hidrocentraleve nga Korporata Energjetike (KESH), duke i organizuar ato përkohësisht si shoqëri më vete.

Pas kësaj, do të nisë menjëherë puna për privatizimin e tyre. Hidrocentralet që pritet t’i nënshtrohen këtij privatizimi janë i i Ulëzës, Shkopetit, Tirana Lanabregas,  Bistrica 1 dhe Bistrica 2.

Qeveria ka lënë të hapur të dy variantet e privatizimit në draft, qoftë atë të shitjes direkte, por edhe atë të koncesionit. Sipas draftit, blerësit do t’i ofrohen jo më pak se 51 për qind e aksioneve të çdo vepre. Të katra këto hidrocentrale kanë një fuqi të instaluar prej rreth 82 mega vat e barabartë kjo me 6 për qind të fuqisë totale të KESH-it.

Për drejtorin e energjetikës në METE, Agim Bregasi HEC-et e parashikuara për privatizim rezultojnë me bilanc pozitiv. "Nuk mund të bëhen parashikime, pasi një kompani konsulence do të bëjë edhe studimin e tregut, vendas, të rajonit, por edhe më gjerë për të bërë të mundur vlerësimin e tyre", deklaroi Bregasi, i pyetur se sa mund të jetë vlera e ofruar nga kompanitë.

Opozita e kundërshtoi këtë vendim. Deputeti Andis Harasani tha se nuk është koha e duhur pasi ende ndjehen efektet e krizës ekonomike globale. Por kryetari i këtij komisioni Edmond Spaho tha se objektiv i kësaj qeverie ka qenë privatizimi i objekteve publike.

 "Aktualisht mund të themi se jemi një ndër vendet me objektet publike më të privatizuara, pasi mbi 90 % e tyre janë tashmë në duart e sektorit privat", deklaroi Spaho. Pas këtij vendimi, projektligji në fjalë pritet të shkojë në Parlament ku do të miratohet përfundimisht vendimi për privatizimin e këtyre ndërmarrjeve./S.Lleshi/Start/

                                                                                             2011-06-01 14:40
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›