Çelsi, tjetër ndalesë, por kreu nuk ndryshon
Një humbje dhe tre barazime në katër ndeshjet e fundit nuk janë një sinjal i mirë për Çelsin e Ançelotit. Blutë e Londrës dje nuk kanë shkuar më shumë se një barazim 3-3 ndaj Evertonit, megjithëse dominuan në fushë. Miqtë kaluan të parët në avantazh pas një topi që u devijua në shpinën e Petr Çeh. Drogba barazoi shumë shpejt, ndërsa Anelka kaloi Çelsin në avantazh. Në fundin e pjesës së parë Yakubu barazoi shifrat, por sërish Drogba kaloi blutë në avantazh. Në minutën e 63-të Luis Saha barazoi gjithçka. Pavarësisht këtij barazimi, Çelsi ruajti vendin e parë, duke qenë se Mançesteri u mund 1-0 nga Aston Vila në “Old Traford”. Agbonlahor në pjesën e parë ishte heroi i skuadrës që drejtohet nga Martin O’Nil. Në takimet e tjera spikat edhe humbja 0-1 e Totenhemit në shtëpi ndaj Ulvs. Ndërsa Sandërlendi i Canës nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 me Portsmuthin, megjithëse kryesoi që në minutën e 23-të me anë të Darren Bent. Mançester Siti barazoi 3-3 në fushën e Boltonit, kurse Bërnlei dhe Fulham u ndanë në një barazim 1-1. Në takimin e zhvilluar në 13.45, Stoke barazoi 2-2 me Uiganin, ndërsa Birmingami fundosi Uest Hemin e Xhanfranko Xolës falë fitores 1-0 në fushën e vet.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)