E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shumaker shumë pranë rikthimit në Formula 1

BERLIN- Mikael Shumaker është shumë pranë rikthimit në Formula 1 dhe mund ta bëjë këtë duke firmosur me skuderinë gjermane Mercedes Grand Pri. Lajmi është bërë i ditur nga tabloidi “Bild”, e cila shkruan se firma e 7 herë kampionit të botës tashmë është vetëm një formalitet. “Mikael është në formë dhe testet e fundit kanë qenë një shenjë e mirë”, shkruan më tej Bild. Në fakt, ende nuk ka një gjë zyrtare, megjithëse joshja e Shumit duket reale nga emri që përfaqëson Mercedesi në Gjermani, por edhe nga kontrata prej afro 30 milionë eurosh për një vit që i ofrohet. Rikthimi i Mikael është më shumë se një thashethem”, tha pak ditë më parë bosi i Formula 1 Berni Ekleston. Më pas, drejtori i Mercedes Nik Frai nuk e hodhi poshtë mundësinë se ishin duke negociuar me ish-pilotin e Ferrarit. 7 herë kampioni i botës ishte gati të rikthehej pas aksidentit të Felipe Masës në Hungari, por në momentet e fundit ndryshoi mendje. Në rast se Mercedes nuk do të marrë Mikael Shumaker, atëherë opsioni më i mundshëm mbetet ai i Nik Haidfeld, që do të formonte dyshen e skuderisë gjermane së bashku me Niko Rosberg.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›