E Diel, 1 Nëntor 2026

Çështja “Hana”, kosto e madhe për shtetin

Siç edhe ishte çështja “Remzi Hoxha” doli një flluskë sapuni. Tani mbase është koha të flitet për “çështjen Hana” dhe dëmet morale dhe financiare që i vijnë shtetit shqiptar nga procedimet e papërgjegjshme dhe të paprovuara të prokurorëve që kanë qenë hetues të diktaturës komuniste. Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Apelit Tiranë dhe kundërveprimi i miqve të prokurorit Hana në Partinë Socialiste ishin treguesit më të qartë se çfarë është “çështja Hoxha”. Tanimë ajo është çështja “Hana”. Nuk ishte e vështirë të shikoje zemërimin e socialistëve dje për daljen huq të njeriut të tyre si përfaqësues i çështjes së akuzës.
Më 29 janar 2008 Partia Socialiste kërkoi arsyen e transferimit të Xhevat Hanës nga Prokuroria te Krimet e Rënda. Nënkryetari i grupi socialist Braçe protestoi me anë të një konference shtypi. Ndërsa dje të gjithë ishin në mbrojtje të aktakuzës së Hanës. Tani i gjithë grupi kuvendor socialist ishte në një mendim me Hanën si përfaqësues i organit të akuzës. Kjo u duk mbrëmë në seancën e Kuvendit. Por standardet që po shikojmë janë të ndryshme.
Është për t’u çuditur se Partia Socialiste nuk kundërveproi kur më 22 mars 1999 u lirua në sallën e gjyqit Zani Çaushi pasi prokurori i atëhershëm i çështjes, Xhevat Hana, hoqi dorë nga akuzat e tij.
Në përfundim të kësaj çështje, dëmin moral që i është shkaktuar personave të dëmtuar nuk duhet ta paguajë shteti, por Xhevat Hana. Shqipëria nuk mund të ketë luksin të paguajë dëmshpërblim personave të prekur nga tekat e prokurorëve të caktuar.
Hana vërtet ka pasur probleme edhe më parë kur ishte president z.Meidani, i cili edhe e shkarkoi. Disa muaj më vonë Hana gjeti strehë tek presidenti tjetër Alfred Moisiu.
Një prokuror i tillë i shfaqur problematik në çështje të tilla sigurisht nuk mund të bëjë më shumë në çështje të tjera.
 Xhemil Dilli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›