E Diel, 1 Nëntor 2026

Censura për Entela Hyskon, përdhosje e kodit të vdekjes

Partia Demokratike ka reaguar dje ndaj aktit të pashembutll të censurës së plotë mediatike nga Top Channel dhe disa kanale partnere me të, mbi 28-vjeçaren, Entela Hysko, e cila humbi tragjikisht jetën në orët e para të së premtes që shkoi së bashku
me presidetin e Top Medias, Dritan Hoxha. Zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani, duke përcjellë edhe njëherë ngushëllimet e kreu të demokratëve, Sali Berisha, ndaj dy familjeve të viktimave, tha se sipas John Dane, vdekja e çdo njeriu, të pakëson, sepse i përket njerëzimit. Dhe në këtë kuadër, Partia Demokratike, si parti e fjalës së lirë, që nxori vendin nga censura dhe terri informativ më i egër komunist, e konsideron heshtjen, fshehjen apo censurën totale nga Top Media dhe disa simotra të saj, të lajmit të vdekjes tragjike të bashkëpunëtores së tyre, Entela Hysko, “si një akt primitive, çnjerëzor dhe të pashembullt”. “Partia Demokratike, iu kujton këtyre censorëve të rinj se vdekja e një njeriu në një shoqëri të lirë, nuk mund të jetë kurrë sekret. Vdekjen e një njeriu mund ta mbajnë sekret vetëm diktaturat më mizore dhe shpellat e Al Kapones. Mirëpo, punonjësja e Top Channel-it, 28-vjeçarja Enetela Hysko, nuk vdiq në Korenë e Veriut, as dhe në skutat Sakra Korona Unita, por ajo vdiq në mes të bulevardit të Tiranës, sëbashku me idhullin tuaj, për të cilin u veshët me të zeza, derdhët lot, hodhët me qindra karafila dhe asnjë për Entelën, që e gjallë do të derdhte ndoshta lotë më shumë se ju për padronin tuaj. Kishte dhe ajo një nënë, që ndofta ju kishte pritur shumë herë, një baba që nuk ishte biznesmen, por ishte emigrant. Ajo ishte një vajzë shqiptare, bashkëpunëtore e juaja, që kishte ndarë me ju festime, hidhërime dhe gëzime, ndërsa ju nuk guxuat as për së vdekuri të shqipëronit emrin e saj. Ju qofshit! Entela bëri vetëm një gabim, që vuri këmbën në makinën e pronarit tuaj, por këtë ajo e pagoi me jetën e saj të re, kurse ju menduat se do të mund, me terrin informativ, me censurë, të mbulonit, të fshihnit vdekjen e saj. Ju, në këtë mënyrë censuruat aktin më madhor, më sublime të njeriut, censuruat lajmin më tragjik të të gjitha lajmeve, atë të vdekjes së një njeriu, censuruat lajmin e vdekjes së shoqes suaj. Jo qofshit, Zoti ju ndjeftë. Keni kryer një akt profanie të tmerrshëm, keni përdhosur kodin e vdekjes. Jo vetëm varrin, por edhe kufomën e shoqes suaj” - tha Bogdani. Sipas tij me këtë akt, Top Channel nga skifter i fjalës së lire që duhet të ishte,
u shndërrua në një kukuvajkë të zezë të mjerimit të vet. “Al Kapone do t’ju kishte dekoruar me urdhrin më të lartë të sojit të tij, kurse për të gjithë ata që i thonë lirisë liri, nënës nënë, vajzës vajzë, ju që censuruat këtë lajm, keni dëshmuar me aktin tuaj barbar, çnjerëzor se jeni kulmi i censurës, top turpi apo turp media. Në rast se në ndërgjegjen tuaj ka mbetur qoftë edhe një grimcë njerëzore, bëhuni njerëz e kërkoni ndjese publike ish-shoqes suaj, kërkojini ndjesë familjes së saj, kërkojini ndjesë Entela Hyskos sado që mos e keni dashur, ajo nuk është më, kërkoni ndjesë të gjithë shqiptarëve që kanë të shenjtë lirinë e fjalës, që kanë të paprekshëm kodin e vdekjes. Zoti ju ndihmoftë”- përfundoi deklaratën e tij Bogdani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›