E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çiljeta sërish në polici

Këngëtarja Çiljeta Xhilaga duket se pas sjelljes në jetë të djalit të saj, Fernando, dhe ndryshimit të statusit tashmë si nënë, është bërë më e ndjeshme për imazhin e saj në publik. Ndërkohë që po shijon muajt e parë me fëmijën e saj, ajo ka vendosur që ta nisë gjithçka me asgjësimin e profileve false në facebook, ndërsa ka depozituar tri ditë më parë pranë Policisë së Tiranës një kallëzim penal për këtë çështje. Burime nga Policia e Tiranës e konfirmuan këtë lajm, (më saktë nga zëdhënësja e policisë së shtetit, Alma Katragjini), ka sqaruar se këngëtarja, me anë të këtij kallëzimi penal, ka kërkuar një hetim për hakerat dhe administruesit e 400 profileve dhe fun page-ve false në facebook, ndërkohë që ajo ka vetëm një profil personal, të cilin e administron vetë.

Shqetësimi i këngëtares është ngritur mbi faktin që administruesit e faqeve po abuzojnë me jetën e saj dhe të djalit, me komente e postime të shumta. Administruesit ndahen në dy grupe, fansa të saj që publikojnë foto dhe lajme jo denigruese, si dhe persona dashakeqë që postojë statuse, komente fyese e shpërndajnë foto të saj dhe të djalit të vogël, për të cilat ajo pretendon se i prishin imazhin në publik dhe janë shqetësuese për të.

Tashmë çështja i ka kaluar Sektorit për Krime Kompjuterike në Policinë e Tiranë dhe Prokurorisë, që do të hetojë mbi këtë ndodhi, duke marrë parasysh kërkesat e këngëtares. Nëpërmjet këtij kallëzimi, Çiljeta kërkon që të ndiqen penalisht personat që fshihen pas këtyre profileve dhe të merren masa për mbylljen e tyre të menjëhershme. Pas sjelljes në jetë të djalit të saj Fernando, në sitet online u shpërnda një foto që e tregonte këngëtaren Çiljeta Xhilaga gjysmë të zhveshur.

Fansat ngritën pikëpyetjen nëse kjo foto ishte realizuar para apo pas lindjes së djalit, duke pranuar që kishte shumë mundësi që kjo foto të ishte më e hershme. U diskutua fakti nëse foton e kishte publikuar vetë këngëtarja apo ndonjë nga administratorët e profileve false në facebook. Ndërkohë që nuk e dimë nëse Çiljeta po planifikon ndonjë dalje të re në muzikë. Ajo aktualisht po merret me rritjen e djalit. Pas lindjes, Çiljeta lançoi bashkëpunimin e saj me reperin Noizy që mban titullin “Gansta Love (G Love)”, xhirimet e të cilit i kishte realizuar kur ishte shtatzënë./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›