E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimin e energjisë e rrit Ruli dhe Berisha

Ka rreth dy muaj që media e shkruar dhe ajo vizive po tenton të zhbirojë labirinthin procedurial për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Media por edhe grup konsumatorët e energjisë elektrike duhet ta kenë të qartë se vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për vitin 2010 dhe më tej është marrë. Rritja e çmimit është votuar në Kuvendin e Shqipërisë në maj të vitit 2009 (pa prezencën e opozitës), nën trysninë e qeverisë për të miratuar pa zë dhe pa kundërshtime Marrëveshjen e Shitjes së Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes(OSSH). Ajo marrëveshje u negociua e u lidh nën një konspiracion shembullor, siç është bërë praktike në Kuvendin e Shqipërisë për marrëveshje të rëndësishme, dhe miratimi në parlament është bërë pa disa anekse të rëndësishme të saj, ku ndër ta është angazhimi i qeverisë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike së bashku me formulën dhe kriteret e llogaritjes.

Pra me ligj të posaçëm qeveria Berisha me propozim të ministrit Ruli, ndëshkoi paradhënie shqiptarët duke iu rritur çmimin e energjisë elektrike. Por qeveria u tregua e kujdesshme, që për të zbatuar pa probleme këtë ligj, të nxirrte nga skema institucionet që mund dhe duhet të merreshin me negocimin e çmimit të energjisë elektrike si Enti Rregullator i Energjisë, të cilit i ka marrë miratimin/firmën në avancë për kriteret llogaritëse dhe formulën e llogaritjes që do të përdoret gjatë kalkulimeve dhe negocimeve për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për vitin 2010.

Në këto kushte çdolloj diskutimi dhe cilido institucion apo titullar institucioni është një farsë që zhvillohet për t’iu hedhur hi syve shqiptarëve dhe jo vetëm kaq. Kjo farsë zhvillohet për të nxjerrë në pah kujdesin e qeverise për “të mbrojtur konsumatorët”, sepse vetë qeveria tani do t’i bëjë thirrje ERE-s që të bëjë kujdes për të mbrojtur konsumatorët. Pra qeveria i ndëshkoi paradhënie konsumatorët dhe tani kërkon të fshihet pas ERE-e si institucion gjoja i pavarur, por që në fakt është jashtë loje sepse çmimi i energjisë elektrike për vitin 2010 e në vijim është rritur me ligj të miratuar në parlament në tremujorin e dytë 2009. Por deri tani qeveria ia ka arritur të shmangë qëndrimin e opinionit publik nga vetja dhe t’i drejtojë shigjetat tek ERE, institucion ky që po hedh një valle për llogari të qeverisë, duke humbur tërësisht pavarësinë dhe integritetin e vet. Përpara se të ushtrohen të ashtuquajturat procedura për të diskutuar mbi rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe të bëhen publike:
-Neni përkatës i Marrëveshjes “Për Shitjen e OSSH”, që bën pjesë të ligjit edhe formulën dhe kriteret e llogaritjes së çmimit të energjisë elektrike pasi të jetë shitur OSSH.
-Teksti i Memorandumit ku shprehen formulat dhe kriteret për rritjen e çmimit të energjisë elektrike pas shitjes së OSSH-së, të firmosur edhe nga vetë ERE.
-Neni përkatës i Marrëveshjes “Për Shitjen e OSSH”, që bën pjesë të ligjit Marrëveshjen midis qeverise dhe Bankës Botërore, ku janë vendosur kushte për qeverinë shqiptare për të siguruar suksesin e biznesit të kompanisë private që blen OSSH edhe nëpërmjet rritjes së pandërprerë të çmimit të energjisë elektrike.
-Teksti i plotë e Marrëveshjes se lartpërmendur, ku besoj se dalin të qarta kushtet e pranuara nga qeveria.
-Marrëveshjen e kredisë që ka marrë qeveria shqiptare, kredi kjo që është vendosur si garanci bankare nëse qeveria jonë nuk do t’iu përmbahet kushteve, edhe pse faturën për këto kushte e paguajnë shqiptarët dhe jo qeveria!....

Bërja publike e këtyre dokumenteve do të ndihmojë shumë për të rritur transparencën në këtë proces procedurash e diskutimesh që gjoja po zhvillohen. Është mirë që konsumatorët të dinë kush fshihet e çfarë fshihet në këtë rritje drastike të çmimit të energjisë elektrike jo vetëm për një vit, por edhe më gjatë...
Qeveria nuk ka pse të përdorë ERE-n si ombrellë, por t’i dalë përballë asaj që ka gatuar e vendosur vetë me ndërgjegje të plotë kur shiti OSSH-në. Është shumë e rëndë dhe e pamoralshme që shqiptarët të mashtrohen e tallen dy herë, një herë kur u vendos rritja e çmimit të energjisë elektrike në marrëveshjen e shitjes së OSSH-së dhe për të dytën herë tani, kur gjoja po ushtrohen procedurat përmes institucioneve kukulla të qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›