E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Salome” kërkon kokën e Gjon Pagëzorit në Tiranë

TIRANE-"Salome" është një opera me një akt. Legjenda e saj e merr spunton dhe subjektin nga libri i shenjtë i Biblës. Në versionin origjinal të saj, Salome shumë shpejt cilësohet si një vajzë adoleshente e pamoralshme që kërkon kokën e profetit, në mënyrë që të plotësojë dëshirën e nënës së saj hakmarrëse. Opera ka qenë e famshme për kërcimin e saj të shtatë vellove, që zakonisht përshkruhet si kërcimi i Salomes. Ky kërcim është shumë oriental në orkestrimin e tij. Gjatë këtij kërcimi Salome heq me ngadalë të shtatë vellot që mbulojnë shtatin e saj, duke rënë e zhveshur në këmbët e Gjon Pagëzorit. Pastaj ajo kërkon kokën e profetit në një pjatë argjendi. "Salome" tani njihet më mirë si një opera me një finale shokuese, gjatë së cilës princesha Salome deklaron dashurinë e saj për kokën e rreptë të Gjon Pagëzorit që më parë e refuzoi. Në Teatrin shqiptar të Operas e Baletit, ajo vjen si bashkëpunim i një sërë emrash të njohur të operas shqiptare dhe asaj të huaj. Një numër i madh artistësh kanë filluar punën për premierën e kësaj opere, që do të shfaqet për herë të parë në datën 15 nëntor. Premiera e "Salomesë" kthen në skenë zërin e mrekullueshëm të Edit Mihalit.
Opera
Nga tarraca e mbuluar me dritë hëne të pallatit të mbretit Herod, Narrabothi, kapiten i rojeve hyn brenda në dhomën e princeshës Salome, e cila është në një banket me njerkun e saj dhe me gjyqtarët e tij. Zëri i profetit Gjon Pagëzori jehon nga një cisternë e thellë, ku ai është i burgosur nga mbreti, i cili e ka frikë profetin. Salome, e mërzitur nga shthurja e Herodit dhe miqtë e tij të vrazhdë, del jashtë të marrë ajër të pastër dhe bëhet kurioze kur dëgjon mallkimin e Gjon Pagëzorit për Herodian, nënën e saj. Salome habitet nga fytyra e zbehtë si e një të vdekuri të profetit dhe shpreh dëshirën e zjarrtë të prekë trupin e tij. Profeti e refuzon dëshirën e saj, duke i folur për birin e Perëndisë, që do të vijë për të shpëtuar njerëzimin. Kur Salome vazhdon të kërkojë puthjet e Gjon Pagëzorit, Narraboth ther veten nga tmerri. Ndërsa profeti zbret në cisternë, i bën thirrje asaj që të kërkojë shpëtim tek Mesia. Herodi shfaqet i ndjekur nga gjykatësit e tij. Kur ai rrëshqet në gjakun e Narrabothit, nervozohet dhe fillon të përjetojë halucinacione, që Herodia i përçmon. Mendimet e Herodit kthehen tek Salome. I sugjeron Salomes ta argëtojë duke kërcyer, por nuk i jep asgjë në shkëmbim asaj, të paktën jo atë që ajo do. Salome e bën Herodin të betohet se do të realizojë premtimin e vet pas kërcimit, dhe më pas fillon kërcimin duke hequr ngadalë të shtatë vellot që mban veshur. Princesha Salome kërkon kokën e Gjon Pagëzorit mbi një pjatë argjendi, duke injoruar ato që i ofron Herodi, xhevahire, zogj të rrallë dhe një vello të shenjtë. Mbreti i tmerruar i jep fund. Pas një pauze të tensionuar, krahu i ekzekutuesit zgjatet nga cisterna duke i ofruar Salomesë kokën. Ndërsa retë errësojnë hënën, Salome merr shpërblimin e saj plot pasion, duke iu drejtuar Gjon Pagëzorit sikur ai jeton akoma, i puth buzët e tij triumfalisht. I mposhtur nga kjo, Herodi urdhëron ushtarët të vrasin Salomenë.
Inskenimi
Me muzikë të Richard Strauss dhe libret sipas Oscar Wilde, regjizorja Patrizia Panton vë në Teatrin kombëtar të Operas dhe Baletit operën me një akt "Salome". Skenografia i përket Platon Bardhit, ndërsa kostumet janë siguruar nga Teatri i Operas së Romës. Koreografia e shfaqjes bëhet e mundur nga Denys Ganio, ndërsa Mjeshtri Koncertues i kësaj opere është Nicola Colabianchi. Për vënien në skenë të kësaj shfaqjeje janë ftuar Nausicaa Policicchio, Roy Stevens, Thomas Gazheli dhe Aleksandar Dojkovic. Në të interpretojnë: Sonila Baboçi, Edith Mihali, Lindita Kola, Oltion Mehilli, Gilmond Myftari, Erlind Zeraliu, Denis Skura, Elson Braha, Eduard Sokoli, Armando Likaj, Genci Vozga, Pandush Koko, Rezarta Qevani, Sokol Hidersha ndërkohë që ajo do të shfaqet në datat 15, 17, 19 dhe 21 nëntor 2009, ora 19.00.

(d.b/BalkanWeb) 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›