Ceka: Ftesa e Edi Ramës, si për gjah
Kryetari i PAD-së ka qenë kundër zhvillimit të një tryeze me partitë opozitare, duke refuzuar ftesën e Edi Ramës. Ai ka qenë ndër të vetmit parti parlamentare opozitare që nuk ka marrë pjesë në takimin e krerëve të opozitës në hotel “Sheraton”. “E kam konsideruar ftesën e kryesocialistit Edi Rama, si një ftesë për gjah, prandaj nuk mora pjesë në të”, ka deklaruar Ceka për mediat. Ceka ka qenë kundër nismave të realizuara nga Rama, duke shprehur qartë se bashkëpunimi me PS-në në të ardhmen duket ende i largët. Sipas tij, Rama i ka përdorur protestat e mëparshme të opozitës për të bërë presione ndaj qeverisë për të marrë më pas sheshe dhe leje ndërtimi. “Prandaj ne nuk bëhemi pjesë e kësaj politike për të mashtruar opinionin publik me protesta boshe”, deklaroi Ceka. Dy ditë më parë, kryealeancisti bëri të ditur se nuk do të merrte pjesë në këtë tryezë, duke akuzuar Ramën për prishje të marrëveshjeve politike të mëparshme. “Nuk marrim pjesë në takim me një person që ka shkelur një marrëveshje të partive opozitare. Rama duhet të sqarojë rrethanat dhe arsyet e prishjes së marrëveshjes së parë të partive opozitare”, tha Ceka.