E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dule: Pse u ula në tryezë me Ramën

Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, si përfaqësues i një partie në pushtet, nuk ka ngurruar të ulet në një tryezë me liderët e partive të opozitës së majtë, të cilët kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Sali Berisha. 

BLEDAR HOTI

 Arsyeja se pse ka marrë pjesë, Dule e ka lidhur për dialogun për shtetin e së drejtës. Por Dule këtë pjesëmarrje nuk e ka lidhur me moralin e një partie që është në pushtet, por edhe që flirton me opozitën. “Nuk e kuptoj ç’lidhje ka me moralin të jesh në qeveri dhe të bashkëbisedosh, në të njëjtën kohë, me çdo forcë politike, pavarësisht nëse është në pozitë apo në opozitë, për drejtësinë dhe sigurinë e qytetarit”, deklaroi Dule. Ai ka shpjeguar se nuk është bashkuar në këtë tryezë me Ramën për largimin e Berishës nga posti i kryeministrit, por me të gjithë, me funksionimin e shtetit të së drejtës. “Bashkohemi me të gjithë, me frymën e konsensusit për çështje madhore, të cilat kapërcejnë mandatet e koalicioneve dhe të qeverive. Bashkohemi me të gjithë për ato çështje që kanë të bëjnë me të ardhmen evropiane të Shqipërisë. PBDNJ diskutoi ato aspekte për të cilat ju fola. Reforma në drejtësi ishte një nga çështjet thelbësore. Reforma zgjedhore është një çështje kardinale që prej vitesh shqetëson vendin”, deklaroi Dule. PBDNJ-ja sheh si primare realizimin e reformës në sistemin e drejtësisë. “Nëse e keni ndjekur PBDNJ në vijimësi, është çështje e profilit të saj çështja e demokracisë, e funksionimit të shtetit të së drejtës, aq më tepër e sigurisë publike dhe funksionimit të drejtësisë. Duhet të keni të qartë se PBDNJ nuk i beson instrumentit tjetër në politikë, në sistemin e shtetit të së drejtës, veç atij të dialogut. Është një çështje kjo, e drejtësisë, që i kalon caqet partiake, i kalon caqet qeveritare të ditës, dhe rrjedhimisht kështu duhet ta shikojmë të gjithë”, theksoi Dule. Ndërsa nuk është bërë e ditur nëse PBDNJ-ja do të shërbejë si ndërmjetës mes opozitës dhe maxhorancës për realizimin e reformave në sistemin e drejtësisë, apo partia që përfaqëson minoritetin i ka ardhur koha që të kalojë në opozitë. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare pritet të mbahen në qershor të vitit 2009, pas 9 muajsh dhe ende nuk është realizuar reforma zgjedhore. PBDNJ-ja nga ndryshimi i sistemit zgjedhor, i përzier mes maxhoritarit dhe proporcionalit, në atë proporcional rajonal nuk rrezikon të mos përfaqësohet në Parlament. Nisur nga kjo matematika e votave ka nisur që tani, duke synuar zgjerimin e koalicioneve politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›