E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama rrëzon propozimet e LSI

Kryetari socialist Edi Rama tha dje se, PS-ja nuk do të qëndrojë peng e kërkesës për dorëheqjen e Berishës. 

Aristir Lumezi

Pak orë pas përfundimit të takimit të mesditës së djeshme me kryetarët e partive opozitare, të thirrur prej tij, Rama kundërshtoi vlerësimin në bllok të tyre për largimin e Sali Berishës. “Ne s’mund të mbetemi peng tek kërkesa për dorëheqjen e tij e të marrim me këmbët tona rrugën e vjetër të një konflikti tradicional, të cilin gjithnjë e ndez politika e interesave personale e partiake dhe e paguan Shqipëria, e paguajnë familjet shqiptare, e paguajnë fëmijët e Shqipërisë”, tha Rama në konferencën e tij për shtyp pasditen e djeshme në selinë rozë.
Duke shprehur qëndrimin e grupit parlamentar të socialistëve, Rama tha se nuk do ta braktisin sallën e Parlamentit ashtu siç kishte kërkuar LSI në mbledhjen e saj të kryesisë. “Vlerësimi im për takimin e sotëm është pozitiv dhe po e mbyll aty ku e mbylla edhe komunikimin me miqtë e mbledhur sot paradite: Pa përjashtuar asnjë formë demokratike të opozitarizmit, ne nuk do të mungojmë asnjë ditë në sallën e Parlamentit për të mbrojtur Shqipërinë që kërkon drejtësi, siguri, shtet”, tha Rama. Sipas tij, në sqarim të këtij vendimi, “as drama e përditshme e keqqeverisjes së Sali Berishës nuk mbaron, përkundrazi thellohet, duke dalë nga Parlamenti dhe duke lënë detyrimet tona ndaj Shqipërisë e ndaj familjes euroatlantike në atë sallë”. Kreu socialist përsëriti dje sërish objektin e tryezës së thirrur prej tij me kryetarët opozitarë, për sigurinë dhe drejtësinë në vend. Ai kërkoi forcimin e rolit të Prokurorisë përmes amendimit të ligjit bashkë me prokurorët, si kusht për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit.   
“Zbardhja e vërtetë e tragjedisë së Gërdecit është për ne guri i themelit të një Shqipërie tjetër, ku politika ndahet përfundimisht nga drejtësia dhe ku pushtetari më i lartë e qytetari më i thjeshtë janë njësoj të barabartë para ligjit, para prokurorit, para gjykatësit. Unë u kërkova dhe u kërkoj të gjithë përfaqësuesve të forcave të përgjegjshme politike në vend, të punojmë së bashku në këto orë të vështira për Shqipërinë, duke i shërbyer ndriçimit të së vërtetës tragjike pa lejuar që edhe kjo tragjedi të mbulohet nga tymi i luftës për interesa partiake e personale si të tjera tragjedi në të shkuarën”, tha Rama. Ndryshe nga Meta e Gjinushi, që kërkuan dje imponimin e largimit të Berishës nga kreu i ekzekutivit, Rama i kujtoi Berishës se duhet të kishte dhënë dorëheqjen. “Sali Berisha duhet ta kishte dhënë dorëheqjen menjëherë pas përfundimit të funeraleve të viktimave të Gërdecit dhe duhet të kishte shkuar në prokurori me këmbët e tij për të mos e mbajtur peng hetimin me duart e pushtetit”, tha kreu socialist. Rama përsëriti edhe njëherë ultimatumin që i ka dhënë Kryeministrit Berisha për të sjellë brenda 30 ditëve ligjin për Prokurorinë. “Ky është detyrimi ynë për ta mbështetur Prokurorinë jo vetëm me fjalime, po me një akt konkret të vullnetit të përfaqësuesve të popullit në Parlament, në shërbim të drejtësisë e në funksion të detyrimeve tona të pashmangshme ndaj qytetarëve të Shqipërisë dhe familjes euroatlantike”, tha Rama. Sipas tij, do të jetë ky ligj që duhet të miratojnë deputetët e Parlamentit që do të zbardhë deri në detaj përgjegjësitë e tragjedisë së Gërdecit. “Ky qëndrim diktohet nga momenti i vështirë ku ndodhet vendi dhe nga nevoja e madhe e njerëzve të këtij vendi për një prokurori të patrazuar dhe të patrazueshme në misionin e saj historik për t’i dhënë përgjigje pyetjeve tejet shqetësuese mbi shkaqet e shkaktarët e shpërthimit vrastar të Gërdecit, mbi shkallën e përfshirjes së kryeministrit, të qeverisë së tij e të njerëzve rrotull tij në këtë tragjedi, si edhe mbi një sërë dyshimesh të tjera që lidhen me atë masakër”, tha Rama.

Meta: Bashkëpunim me PS vetëm për t’i imponuar dorëheqjen Berishës

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha dje se opozita duhet të unifikojë qëndrimin për të rrëzuar kryeministrin Sali Berisha. Duke folur në televizionin “Ora News”, kreu i LSI-së u shpreh se me kryeministrin aktual nuk mund të bëhet reforma zgjedhore apo reforma në drejtësi. “Ajo që është e rëndësishme dhe që të biem dakord është të unifikojmë qëndrimin opozitar për të imponuar dorëheqjen e Sali Berishës, sepse ne nuk mund besojmë që me Sali Berishën mund të bëhet reformë për zgjedhjet. Unë nuk e di se cili është produkti pozitiv i bashkëpunimit të tanishëm midis mes Berishës dhe Ramës në drejtim të forcimit të institucioneve, të forcimit të shtetit të së drejtës dhe çfarë ka fituar opozita në planin institucional për të balancuar pushtetet e pakufishme që ka marrë tashmë Berisha gjatë kësaj kohe. Opozita vetëm ka humbur”, deklaroi Meta. Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim kritikoi edhe qëndrimin e Partisë Socialiste për të shpallur si prioritet bërjen e një ligji të ri për Prokurorinë. Meta shtoi se, organi i akuzës e ka tashmë një ligj mbi të cilin funksionon, teksa vijoi se, opozita duhet të ketë prioritete të qarta dhe jo retorikë. “Duket që kryetari i PS ka prioritet si do bëhet ligji për prokurorinë dhe ka vënë dhe një afat. Unë se kuptoj se çdo të thotë ligj për prokurorinë. Prokuroria e ka ligjin. Ligjin e ka nisur në mënyrë konspirative qeveria, sepse është në interes të Berishës. Mendoj që opozita duhet të ketë prioritete shumë të qarta, duhet të ketë shumë pak retorikë, duhet të ketë veprime të qarta politike”, deklaroi Meta. “Ka një konfuzion sepse fton shqiptarët në protestë, por thuhet se jemi kundër alternativës së rrugës, kur praktikisht ne i ftojmë në rrugë apo bulevard për të protestuar. Protestë u bë dhe në rastin e tragjedisë së Gërdecit dhe pas kësaj u bë kushtetuta, u bë rregullorja e cila kontrollonte nga komisioni i Ligjeve në mënyrë antikushtetuese kandidaturat e presidentit për në Parlament për gjyqtarët”, nënvizoi më tej kreu i LSI-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›