Ndoka: Koalicioni i djathtë, inekzistent
Në kulmin e konfliktit mes pozitës dhe opozitës, PDK-ja si parti e djathtë bën prezent problemet e qeverisjes Berisha. Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, e cilëson si inekzistent koalicionin e djathtë qeveritar, duke fajësuar PD-në dhe liderin e saj, Kryeministrin Sali Berisha. “Në këtë mënyrë kjo forcë politike do të mbajë dhe faturën e humbjes së zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. E djathta në tërësinë e vet është totalisht e supervizuar edhe për faktin se prej kohësh tryeza e kryetarëve të partive parlamentare nuk funksionon. Ka qenë një maxhorancë shumë konfuze në tërësinë e vet, pa ide të qarta në organizmin e saj”, deklaroi Ndoka. Sipas tij, PD-ja duhet të shprehet për këtë mungesë të dialogut mes partive të djathta qeverisëse. Zhvillimin e tryezës së dialogut e kërkon edhe PR-ja. Sipas kreut të grupit të PR-së, Arjan Madhi, është i domosdoshëm funksionimi i tryezës politike të partive të djathta, duke diskutuar mbi të gjitha për reformën zgjedhore. Tryeza e partive të djathta ka më shumë se një vit që nuk është mbledhur.