E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta e Rama ndahen për Berishën

 

Aristir Lumezi

Tryeza e djeshme e opozitës, edhe pse ka thyer akujt që mbante larg dy partitë, PS dhe LSI, nuk ka sjellë rezultatin e pritshëm.  Partitë opozitare në bllok kanë kërkuar një politikbërje më të fortë krahasuar me atë që është bërë deri tani nga ana e opozitës, ndërsa Edi Rama ka kërkuar që politika opozitare të mos jetë radikale. Ndërkohë Meta, Gjinushi dhe Milo kërkuan imponimin e largimit të Sali Berishës përmes veprimit të bashkuar parlamentar, por dhe protestave masive në shesh të qytetarëve, Rama ka mbrojtur tezën e tij se qeveria e Berishës po çmontohet vetë, pa qenë nevoja e veprimeve të forta opozitare. Nga ftesa e kryetarit socialist nuk ka munguar asnjë nga kryetarët e partive dhe kryetarët e grupeve parlamentare, gjë që tregoi seriozitetin që ato vlerësuan situatën politike në vend pas tragjedisë së Gërdecit, por dhe vdekjes misterioze të biznesmenit Kosta Trebicka. Dhjetë minuta para mesditës ka mbërritur në hotel “Sheraton”, Edi Rama, i shoqëruar nga kryetarja e grupit parlamentar, Valentina Leskaj. Rëndësia e takimit, i cili ishte i pari që pas prishjes së marrëveshjes së partive opozitare pas zgjedhjeve vendore 2007, dukej dhe në interesimin e madh të mediave, të cilat kishin montuar aparaturat e tyre transmetuese për të mos humbur asnjë detaj përmes lidhjeve direkte me studiot e tyre. Pas socialistëve ka mbërritur PDS-ja, e cila përfaqësohej nga Milo dhe sekretari politik Duçkallari, e më pas PSD-ja me Gjinushin dhe Bejtajn. Në orar të përpiktë ka qenë Ilir Meta dhe Pëllumb Xhufi. Surpriza e këtij takimi padyshim ka qenë kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe Leonard Solis, të cilët mbërritën të fundit në takim. Gjatë takimit, Dule është shprehur se bashkohet me qëndrimin e opozitës për çështje madhore të vendit, duke lënë kështu të hapur dhe një bashkëpunim të mundshëm në zgjedhjet e ardhshme të 2009-ës. Ftesës për këtë takim iu përgjigj negativisht kryetari i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, i cili kërkoi nga kreu socialist sqarime për prishjen e tryezës së parë opozitare, në të cilën kishin firmosur të gjithë kryetarët e tyre. Të gjithë pjesëmarrësit janë ngjitur në katin e pestë të hotelit, ku PS-ja kishte prenotuar një sallë për zhvillimin e takimit të shumëpritur. Por vetëm pas 30 minutash nga nisja e ballafaqimit të qëndrimeve, kreu i LSI-së, Ilir Meta, është larguar për shkaqe familjare. Sipas burimeve nga takimi, i pari që e mori fjalën ishte ai që kishte bërë dhe ftesën për takimin, Edi Rama, i cili pasi i bëri një ekspoze situatës në vend, kërkoi një bashkërendim të partive opozitare në Kuvend, me qëllim përfundimin e reformës në drejtësi dhe unifikimin e qëndrimit të tyre për ligjin për Prokurorinë.  
Ndërsa Ilir Meta ka bërë të njohur pjesëmarrësit me vendimin e kryesisë së LSI-së, duke vënë theksin në bashkërendimin e të gjitha përpjekjeve opozitare për largimin e Berishës me rrugë demokratike. Meta është shprehur se nga Sali Berisha nuk mund të presim asgjë të mirë, as reformë në drejtësi, as siguri në vend, as karta identiteti dhe as zgjedhje të lira. Meqë edhe ju bëni përgjegjës Sali Berishën si për Gërdecin ashtu dhe për vdekjen e Trebickës, atëherë nuk na mbetet asgjë tjetër vetëm ta largojmë me rrugë demokratike. Gjithashtu ai është shprehur se ndryshimet kushtetuese të 21 prillit kanë forcuar së tepërmi pozitat e Sali Berishës, i cili ndjehet tashmë më i mbrojtur politikisht dhe pse keqqeveris vendin. Kreu socialist ka justifikuar ndryshimet kushtetuese se janë bërë me vullnetin e tij të plotë, duke shtuar se Berisha nuk ka fituar gjë nga ato. “Kërkohet të krijojmë klimën për të mbështetur punën e Prokurorisë. Qëllimi është të vendosim punën e Prokurorisë mbi baza ligjore”, mësohet të jetë shprehur Rama. Në krah të Metës ka qenë dhe aleati tradicional i Ramës, Skënder Gjinushi, i cili ka kërkuar dalje në shesh, por dhe një mocion mosbesimi për Sali Berishën. Gjinushi ka zbuluar skemën e këtij largimi, duke llogaritur mirë votat në Parlament, duke përfshirë dhe votat e PDK-së, të PBDNJ-së, por dhe deputetë të tjerë të djathtë për të shkuar deri në zgjedhje me një kryeministër tjetër të djathtë. Pas largimit të Metës dhe Milos, i cili kishte një takim me përfaqësues të KE-së, Gjinushi, Duçkallari, Xhufi kanë mbështetur idenë e amendimit të ligjit për Prokurorinë vetëm për çështjen e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm.

Dialogu në takimin e djeshëm

Ilir Meta: Pasi ka lexuar vendimin e kryesisë së LSI-së; pranojmë shqetësimin tuaj, amendamentet të kthehen në ligj për Prokurorinë. Nuk besoj se duhet të presim më nga Berisha as zgjedhje të ndershme dhe as karta identiteti dhe as për sigurinë dhe drejtësinë. Opozita të imponohet në bllok me të gjitha format demokratike për largimin e Sali Berishës. Problemet i parashikuan parashikimet, ndaj për mua duhet të dalim në shesh me thirrje për largimin e Berishës. Kërkohet tashmë opozitë e fortë para kësaj qeverisje të Sali Berishës.

Edi Rama: Nuk duhet të bëjmë politikë radikale, sepse Berisha po çmontohet vetë dhe ne duhet të sjellim një kulturë të re politike në politikbërje. Ndryshimet kushtetuese janë bërë me vullnetin tim të plotë, dhe besoj se Berisha nuk ka fituar gjë nga ato. Kërkohet të krijojmë klimën për të mbështetur punën e Prokurorisë. Qëllimi është të vendosim punën e Prokurorisë mbi baza ligjore. Kemi për këtë edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve. Duhet të jemi të unifikuar në qëndrimin se nuk hyjmë në zgjedhje pa karta identiteti, ose të paktën me karta identiteti dhe pasaporta.

Vangjel Dule: Për ne ka gjëra që dalin mbi qeverinë e ditës. Çështjet madhore, si siguria e jetës, shteti i së drejtës, drejtësia ligjore etj., janë çështje thelbësore për çdo parti politike. Bashkohemi me shqetësimin e opozitës.

Paskal Milo: Kërkohet forcim i bashkëpunimit për çështje konkrete dhe unifikim të veprimeve si në Parlament, ashtu dhe në shesh.

Valentina Leskaj: Ikja nga Parlamenti është një eksperiment i dështuar. Duhet të vendosim një bashkëpunim mes kryetarëve të grupeve, sa herë del kalendari trejavor në Kuvend, për të unifikuar veprimet opozitare në Parlament.

Skënder Gjinushi: Të harrojmë diferencat dhe të unifikohemi përballë Berishës. Qeveria është pengesë për hetim të pavarur, për ndërprerjen e dhunës, e pasigurisë dhe për zgjedhje të lira. Mocion mosbesimi në Parlament së bashku me protestë në rrugë paralel. Të llogarisim votat në Parlament, mund të realizojmë mosbesimin me votat opozitare, PBDNJ, PDK dhe deputetë të tjerë të djathtë dhe të shkojmë në zgjedhje me një kryeministër tjetër të djathtë. Duhet t’i kemi sytë nga reforma zgjedhore dhe ligji për Prokurorinë, të japim mbështetje morale për Prokurorinë, KLD-në, Gjykatën e Lartë dhe iniciativat e tyre ligjore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›