E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ceka: “I dhamë votat PD-së, s ka pse të na kërkojnë paratë”

Autori i Lajmit: red.
Presidenti i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, ka deklaruar dje se është e pandershme që pas disfatës më 28 qershor, që i la jashtë Parlamentit, partitë e vogla të detyrohen të kthejnë paratë e marra nga shteti për fushatën. Sipas tij, të 5 subjektet politike që nuk siguruan mandat në legjislativin e ri, u dhuruan aleatëve të mëdhenj votat e nevojshme për disa mandate, prandaj nuk mund të penalizohen sërish. “Kjo është e pandershme, sepse ne kemi shpenzuar për fushatë dhe rezultatin tonë e ka marrë PD-ja ashtu siç dhe nga e majta kanë shpenzuar dhe rezultatin e ka marrë PS-ja, dhe të kthesh paratë kur ti ke dhënë kontributin e votave apo në fitoren e disa deputetëve, besoj që nuk përputhet me Kodin”,- nënvizoi Ceka. Detyrimit për të kthyer paratë deri në fund të gushtit duhet t i nënshtrohen 5 forca politike që në legjislativin aktual ishin të përfaqësuara me të paktën 2 deputetë, dhe më konkretisht, Partia Socialdemokrate, Partia Agrare Ambientaliste, Partia Aleanca Demokratike, Partia Demokracia Sociale dhe Partia Demokristiane. Të pesta këto forca duhet të kthejnë në total një shumë prej 12.7 milionë lekësh, 30 ditë pas shpalljes së rezultatit. Në rast të mospërmbushjes së këtij detyrimi, KQZ mban shumën nga fondet e tjera buxhetore, që përfitojnë këto parti. Paratë që do të kthejnë të vegjlit, do t u shpërndahen partive që fituan mandate. Dhe pikërisht nga të mëdhenjtë duhet të vijë zgjidhja sipas Cekës. “Urgjentisht duhet të ndërhyjnë dy partitë e mëdha që kjo histori të mbyllet kështu. Votat i kanë marrë, paratë s kanë pse i kërkojnë. Qoftë PD-së, qoftë PS-së që përfitojnë nga këto para, se paratë që duhet të kthejmë ne u kalojnë atyre. U kemi dhënë votat çfarë kërkojnë më”,- vijon Ceka. 11 forca politike, pjesëmarrëse në Parlamentin e dalë nga zgjedhjet e 2005-ës, përfituan në total një fond prej 65 milionë lekësh, shumë kjo që u shpërnda sipas dy formulave të ndryshme, gjysma sipas mandateve me të cilat përfaqësoheshin në Kuvend dhe gjysma e dytë në bazë të votave të fituara në parlamentaret e shkuara.
Ky lajm është publikuar: 07/08/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›