E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, Berisha:“Për dy muaj qeveria miraton të gjitha dosjet

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Premtimet

Kreu i qeverisë, Sali Berisha, u ka premtuar banorëve të Kamzës dhe Paskuqanit se dy muajt që do të vijnë do të përmbyllin të gjitha dosjet e legalizimeve duke marrë rrugën e miratimit pas katër muajve. Berisha gjithashtu premtoi se në tri javët e para të funksionimit të Parlamentit qeveria e tij do të miratojë në Kuvend projektligjin për përdorimin e letrave me vlerë në procesin e legalizimeve. Këto premtime Kryeministri i ka bërë gjatë turit të tij të premtimeve ku radhën e ka pasur Bashkia e Kamzës. Kreu i mazhorancës i ka bërë këto deklarata gjatë përurimit të fillimit të punimeve për rrugën Instituti Bujqësor - Bulçesh, rrugë kjo që lidh Bashkinë e Kamzës dhe Tiranës me komunën e Paskuqanit. Ndër të tjera, Berisha është shprehur se “një projekt tjetër madhor zhvillohet dita-ditës në zonat tuaja dhe ky është legalizimi i banesave. Kam kënaqësinë e madhe se 70 për qind e të gjitha dosjeve janë miratuar në qeveri. Ju siguroj se brenda 2 muajve që vijnë, 100 për qind, çdo dosje, do të jetë e miratuar në qeveri dhe ju garantoj se Parlamenti, 2-3 javët e para të punës së tij, do të miratojë ligjin për përdorimin e letrave me vlerë, që ju të paguani sipas vendimeve banesat tuaja në përqindjen e përcaktuar dhe premtuar nga qeveria”,- tha Kryeministri. Kreu i Ekzekutivit u ndal dhe në investimet e bëra në zonën e Kamzës dhe Paskuqanit duke thënë se “ju jeni dëshmitarë se në çfarë kushtesh ndërtuat shtëpitë tuaja në këtë zonë dhe cilat janë ndryshimet e kësaj zone gjatë këtyre 4 viteve. Unë ju garantoj ju, se 4 vitet që vijnë, do të jenë vitet e ndryshimit më të madh pozitiv të këtij qyteti dhe të mbarë qyteteve dhe të fshatrave të vendit. Në këto 4 vite, Shqipëria që po ndryshon, do të jetë një Shqipëri krejt tjetër, do të jetë një Shqipëri e standardeve të reja, një Shqipëri gjenerator i fuqishëm punësimi; një Shqipëri në të cilën shkollimi cilësor, shërbimi shëndetësor cilësor, infrastruktura moderne, do të bëhen një realitet për të gjithë vendin. Ju garantoj se qeveria ime do të financojë në këtë qytet, në Kamëz, në Paskuqan dhe kudo të gjitha projektet që do të miratojë këshilli juaj bashkiak për të ndryshuar për mbarë jetën tuaj. Banorët e Kamzës, Paskuqanit dhe të gjithë banorët e ardhur nga të katër anët e vendit, nga Vaqarri deri në Zall-Herr, kanë ndërtuar qytetin më të madh dhe më të bukur të vendit, dëshmi e energjisë së tyre krijuese, dëshmi e vendosmërisë së tyre për të pasur një jetë më të mirë. Ju u larguat nga vatrat tuaja, për të kërkuar për vete dhe për fëmijët tuaj një jetë më të mirë. Ne do të bëjmë çdo gjë që ju të gëzoni kushtet e jetesës së një qyteti modern, ndaj dhe infrastruktura moderne për ju, shkollat, pallati i kulturës, pallati i sportit, qendra shëndetësore, ujësjellësi, kanalizimet, energjia elektrike, këto janë linjat, në të cilat ne kemi investuar dhe investojmë, deri në ndërtimin përfundimtar të një infrastrukture moderne”,- theksoi Berisha.

Kreu i PD-së: “Edi Rama, tani një ish-kryetar i PS”

Kryeministri Sali Berisha e konsideron Kryetarin e PS, Edi Rama, si ish-kryetar dhe se i ka mbaruar mandati për të udhëhequr socialistët që pas humbjes së zgjedhjeve të 28 Qershorit. Edhe pse Kryeministri theksoi se nuk dëshiron të ndërhyjë në punët e brendshme të partisë më të madhe opozitare, ka komentuar edhe situatën në të cilën ndodhet tashmë Rama, kundërshtari i tij në zgjedhjet parlamentare të dy muajve më parë. Berisha, duke përshëndetur fitoren e PD në Ballagat të Lushnjës, tha se kjo shpreh qartë mashtrimet që, sipas tij, ish-kryetari i PS, Rama, ka bërë me elektoratin e tij. “Këtu nga Kamza, edhe një herë dua të ndalem në fitoren në komunën e Ballagatit. Ajo është një fitore që ka ngrohur zemrat e të gjithë shqiptarëve. Ajo është dëshmi e një ndryshimi të madh, në vlerësimin e programit të kësaj qeverie. Por nga ana tjetër është edhe një flakje e doktrinës së mashtrimeve, shpifjeve dhe trillimeve, me të cilën ish-kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u paraqit para shqiptarëve për vite të tëra. Shprehem këtu për ish-kryetarin, jo se atij i është ndërprerë mandati nga statuti i tij, se çështjet e statutit të partisë së tij nuk më interesojnë mua, por e vërteta është se me leksionin e madh që i dhanë shqiptarët më 28 qershor, ai mund të rrijë të shpifë, të trillojë, të mashtrojë, por çdo ditë numri i shqiptarëve që do i besojnë atij do të pakësohet, deri sa ta lënë vetëm me shalsat e tij. Ndaj edhe unë ju ftoj që të vazhdojmë të festojmë fitoren me vepra konkrete, të festojmë fitoren duke lënë mbrapa një prapambetje të madhe që nuk e meritonim; duke lënë mbrapa një problematikë të madhe që trashëguam”. Reagimi i Berishës vjen pas lëvizjeve që po ndodhin në selinë rozë, ku disa deputetë socialistë i kanë kërkuar kryetarit të njohë humbjen e zgjedhjeve dhe të dorëhiqet nga posti drejtues i partisë. Aktualisht, Edi Rama ndodhet për disa ditë në SHBA tek të afërmit e tij.
Ky lajm është publikuar: 07/08/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›