E Diel, 1 Nëntor 2026

Liberalizimi i vizave, Bernd Bochard: “Një nga kushtet e KE-së është dhe ligji i martesave të gay”

Autori i Lajmit: red.
Vizat - Kushtet për Shqipërinë sipas ambasadorit gjerman

“Lypsen hapa të mëtejshme në fushën e sigurisë së dokumenteve, luftës kundër migrimit ilegal, sigurisë dhe rendit publik, e marrëdhënieve të jashtme dhe të drejtave themelore. Miratimi i një ligji kundër diskriminimit, i cili do të prezantohet së shpejti në Parlamentin e ri të Shqipërisë është pjesë e paketës. Një çështje tjetër e rëndësishme është lufta kundër krimit të organizuar, kundër trafikimit të qenieve njerëzore, strategjia antidrogë, lufta kundër korrupsionit dhe krimeve financiare, siç është pastrimi i parave”

Defektet në zgjedhjet e 28 Qershorit sipas Bernd Bochard

“Kemi qenë dëshmitarë të zhvillimeve, që janë për të ardhur keq. Ka pasur shumë deklarime për presionin e ushtruar ndaj nëpunësve të sektorit publik apo studentëve gjatë fushatës elektorale. Vëzhguesit mund të provojnë disa prej tyre. Ka pasur deklarime edhe për abuzimin me burime të administratës, disa prej të cilave janë konfirmuar. Shpresoj se kjo do të riparohet në të ardhmen, pasi është në kundërshtim me Dokumentin e Kopenhagenit ( të OSBE/së) mbi zgjedhjet. Gjatë procesit të numërimit vëzhguesit vlerësuan se numërimi ishte i keq, ose shumë i keq në 1/3 e qendrave të numërimit. Kjo ishte më keq se më 2007. Një çështje tjetër problematike janë raportimet për largimin nga puna në sektorin publik të militantëve, zyrtarëve dhe vëzhguesve zgjedhorë të Partisë Socialiste”.

Intervista

Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Bochard, gjatë një interviste për Deutsche Welle”, ka deklaruar se është i bindur se qeveria dhe opozita mund të gjejnë zgjidhje kompromisi për shumë nga paketat e reformave e duhura. Sipas tij një pjesë e konsiderueshme e elektoratit nuk ka interes të ngadalësohet procesi i reformave në Shqipëri. Ambasadori ka komentuar gjithashtu edhe zgjedhjet e 28 Qershorit, duke thënë se është bërë një progres i dukshëm në regjistrimin e zgjedhësve, procesin e identifikimit me kartat e reja të identitetit dhe pasaportat. Ai nuk ka lënë pa prekur dhe defektet e këtyre zgjedhjeve, duke përmendur presionin e qeverisë në administratë, tek studentët dhe shkollat. Po ashtu ambasadori gjerman nënvizoi dhe faktin se gjatë procesit të numërimit vëzhguesit vlerësuan se numërimi ishte i keq, ose shumë i keq në 1/3 e qendrave të numërimit. Një çështje tjetër problematike, tha Bernd Bochard, janë raportimet për largimin nga puna në sektorin publik të militantëve, zyrtarëve dhe vëzhguesve zgjedhorë të Partisë Socialiste. Ambasadori gjerman ka shpjeguar dhe arsyet, sipas tij, që çuan në mosaprovimin nga BE dhe KE, të përfitimit të Shqipërisë nga liberalizimi i vizave me zonën Shengen , duke renditur dhe arsyet. Ai nënvizoi se një nga kushtet që Shqipëria të përfitojë nga heqja e vizave me BE-në është miratimi i një ligji kundër diskriminimit, ai i martesave brenda së njëjtës gjini, nismë e prezantuar nga kryeministri Berisha dhe që do të prezantohet së shpejti në Parlamentin e ri.

Me shpalljen nga KQZ, të rezultateve zyrtare përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit, përfundoi edhe procesi elektoral. Si e vlerësoni këtë proces? A i plotësuan këto zgjedhje standardet ndërkombëtare?

Më 28 qershor 2009 shumica e qytetarëve të Shqipërisë ushtruan në një mënyrë dinjitoze të drejtën e tyre demokratike për të zgjedhur një qeveri të re. Zgjedhësit treguan një nivel të lartë pjekurie dhe përgjegjësie. Do të doja të theksoja, gjithashtu se është bërë një progres i dukshëm në regjistrimin e zgjedhësve, procesin e identifikimit me kartat e reja të identitetit dhe pasaportat. Nga ana tjetër, kemi qenë dëshmitarë të zhvillimeve, që janë për të ardhur keq. Ka pasur shumë deklarime për presionin e ushtruar ndaj nëpunësve të sektorit publik apo studentëve gjatë fushatës elektorale. Vëzhguesit mund të provojnë disa prej tyre. Ka pasur deklarime edhe për abuzimin me burime të administratës, disa prej të cilave janë konfirmuar. Shpresoj se kjo do të riparohet në të ardhmen, pasi është në kundërshtim me Dokumentin e Kopenhagenit ( të OSBE/së) mbi zgjedhjet. Gjatë procesit të numërimit vëzhguesit vlerësuan se numërimi ishte i keq, ose shumë i keq në 1/3 e qendrave të numërimit. Kjo ishte më keq se më 2007, kur më pak se ¼ e qendrave të numërimit u kritikuan për këtë gjë. Një çështje tjetër problematike janë raportimet për largimin nga puna në sektorin publik të militantëve, zyrtarëve dhe vëzhguesve zgjedhorë të Partisë Socialiste. Për sa i përket një deklarate të përgjithshme mbi zgjedhjet, jemi në pritje të raportit përfundimtar të ODIHR-it, i cili do ta mbështesë vlerësimin e tij në një bazë të gjerë të vëzhgimeve të qindra vëzhguesve zgjedhorë.

A keni ndonjë mesazh për opozitën e majtë, duke pasur parasysh deklaratat e kreut të saj, Edi Rama, për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe pjesëmarrje në Parlament, për t i përgatitur këto zgjedhje?

Shumë nga reformat që Shqipëria ka përpara në rrugën e saj drejt integrimit në BE, kërkojnë një shumicë të cilësuar në Parlament. Prandaj shpresojmë që opozita do të zgjedhë të mbajë një qëndrim konstruktiv lidhur me reformat për legjislacionin. Opozita ka detyrën të përfaqësojë interesin e elektoratit të saj në këtë diskutim në Parlament. Nuk besoj se një pjesë e konsiderueshme e elektoratit ka interes për ngadalësimin e procesit të reformave në Shqipëri. Jam i bindur se qeveria dhe opozita mund të gjejnë zgjidhje kompromisi për shumë nga paketat e reformave të duhura.

Zoti ambasador, liberalizimi i vizave brenda vitit 2010 është një nga prioritetet e qeverisë së re Berisha – Meta. Gjermania po ndihmon Shqipërinë në përmbushjen e kushteve të kërkuara nga Komisioni Evropian përmes financimit të një projekti të Kombeve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, projekt që synon rezultate më të mira në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve ilegale, menaxhimit të integruar të kufijve. A mund të tregoni më me hollësi për mbështetjen e Gjermanisë që Shqipëria të përmbushë kushtet e KE dhe të meritojë liberalizimin e vizave brenda vitit të ardhshëm?

Në fillim të vitit 2008 shtetet anëtare të BE-së ngarkuan Komisionin Evropian të hartonte “Udhërrëfyesit e liberalizimit të vizave“ për vendet e Ballkanit Perëndimor. Këtë verë isha i lumtur kur dëgjova se liberalizimi i vizave do të fillojë me tri vendet e para, gjë që tregon se liberalizimi i vizave është një ofertë serioze. Po ashtu, Bosnjë-Hercegovina dhe Shqipëria morën nga Komisioni i BE-së një informacion të detajuar, për sa u përket hapave që duhen të hedhin që edhe ato të gëzojnë liberalizimin e vizave. Që kjo të ndodhë, lypsen hapa të mëtejshëm në fushën e sigurisë së dokumenteve, luftës kundër migrimit ilegal, sigurisë dhe rendit publik, e marrëdhënieve të jashtme dhe të drejtave themelore. Miratimi i një ligji kundër diskriminimit, i cili do të prezantohet së shpejti në Parlamentin e ri të Shqipërisë, është pjesë e paketës. Një çështje tjetër e rëndësishme është lufta kundër krimit të organizuar, kundër trafikimit të qenieve njerëzore, strategjia antidrogë, lufta kundër korrupsionit dhe krimeve financiare, siç është pastrimi i parave. Shpresojmë që Komisioni Evropian do të informojë vendet anëtare lidhur me progresin e arritur nga Shqipëria dhe B–H, dhe më pas shtetet anëtare, me vendim shumice, mund të vendosin për heqjen e mundshme të regjimit të vizave, nëse Komisioni Evropian e propozon këtë mbi bazën e progresit të arritur. Duke marrë parasysh progresin e dukshëm të bërë deri tani nga Shqipëria, shpresoj që ajo do të jetë në gjendje t i arrijë së shpejti këta parametra të rëndësishëm. Gjermania këtë vit po bën një përpjekje thelbësore për të mbështetur Shqipërinë në këtë fushë. Ju përmendët programin rajonal. Ai ka një vlerë prej afro 1 milion euro dhe Shqipëria është pjesë e këtij programi. Edhe në nivel dypalësh ne sapo kemi hartuar një program të rëndësishëm me një vlerë prej rreth gjysmë milioni euro për të mbështetur Shqipërinë në fushën e kontrollit kufitar, luftën kundër trafiqeve ilegale dhe krimit të organizuar, që do të kontribuojë në arritjen e parametrave të përcaktuara nga BE-ja për liberalizimin e vizave. Gjermania, pa dyshim, do të mbështesë liberalizimin e vizave sapo të arrihen këto parametra.

A do të zgjerohen marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Shqipërisë në drejtime të reja gjatë mandatit 4-vjeçar të qeverisë Berisha-Meta apo do të thellohen në fushat e deritanishme: energji, infrastrukturë, furnizimin e popullsisë me ujë të pijshëm?

Unë jam shumë optimist për bashkëpunimin Gjermani-Shqipëri gjatë 4 viteve të ardhshme. Ne kemi bashkëpunuar ngushtë me qeverinë në pushtet të Partisë Demokratike përgjatë këtyre 4 viteve të fundit, ndërsa më parë kemi punuar me Qeverinë e Partisë Socialiste. Bashkëpunimi ynë me shumë bashki të drejtuara nga Partia Socialiste është gjithashtu i shkëlqyer. Nuk kam as dyshimin më të vogël që një bashkëpunim i shkëlqyer do të vazhdojë me koalicionin e ri qeverisës. Vitin e kaluar Gjermania vendosi të dyfishojë mbështetjen për Shqipërinë me afro 100 milionë euro për dy vjet. Qëllimi kryesor i Gjermanisë është të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Mendoj se do të vazhdojmë të përqendrohemi në furnizimin me energji, ujë dhe kanalizimin e ujërave të zeza. Në rajonin e Korçës po punojmë me autoritetet lokale mbi një koncept për heqjen e mbeturinave. Në gjithë këto fusha ne kemi grumbulluar shumë eksperiencë e megjithatë mbetet ende shumë për të bërë. Kryeministri Berisha ka bërë të ditur se furnizimi me ujë të pijshëm duhet të jetë në qendër të vëmendjes të qeverisë së ardhshme. Prandaj edhe objektivi ynë përputhet me interesin e qeverisë shqiptare.

Marrë nga Deutsche Welle
Ky lajm është publikuar: 07/08/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›