E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të premten, marshim për tragjedinë e Gërdecit

Kryetari i PS-së fton qytetarët në një homazh për tragjedinë, pa fjalime e flamuj partiakë
 
TIRANË- Të premten, në orën 17:30, kryetari i PS-së, Edi Rama ftoi dje qytetarët në një marshim të heshtur, pa asnjë fjalim e flamur partiak, por vetëm homazh për viktimat e Gërdecit. Duke cituar se kjo tragjedi ndodhi për shkak të papërgjegjshmërisë politike dhe paaftësisë qeverisëse, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama theksoi se falë shqyrtimit të fakteve të dokumentuara e të bëra publike përmes burimesh të pavarura të informimit publik, shqiptarët mësuan se Kryeministri ka gënjyer tri herë, në tri ditë. “Kryeministri na tha se Ministria e Mbrojtjes kishte për detyrë vetëm transportin, dhe na gënjeu. Na tha se në atë punishte nuk punonin gra e fëmijë, dhe na gënjeu. Na tha se ai s’ka pasur asnjë dijeni për këtë punë, dhe përsëri na gënjeu. Qoftë edhe njëra nga këto gënjeshtra, do të mjaftonte që Kryeministri i një vendi që pret ftesën e anëtarësimit në NATO, të dorëhiqej, e jo më i gjithë ky skandal që tronditi botën e që po e mbulon dita-ditës Shqipërinë me blozën e një vullkani korruptiv, në sytë e të tërë partnerëve tanë ndërkombëtarë”,- tha dje Rama. Kryesocialisti sqaroi se, ka folur dhe do të vazhdojë të flasë si një qytetar që ka mundësinë e përgjegjësinë të shprehë nga një tribunë e lartë, ndjenjat e shqetësimet e milionave qytetarëve. “Pikërisht, si njëri ndër ju, qytetar i këtij vendi ku jeta është e kërcënuar vijimësisht e ku qeveria është kthyer në një agjenci funeralesh, vetëm e vetëm për shkak të papërgjegjshmërisë, paaftësisë dhe korrupsionit që e ka mbërthyer për fyti; ju ftoj të mbrojmë së bashku jetën. Duke e konsideruar dorëheqjen e këtij Kryeministri, si të drejtën tonë, për të jetuar të sigurt në atdheun tonë”, tha Rama. Kryetari i PS-së ka ftuar të gjithë, pavarësisht bindjeve politike e përkatësive partiake, në një ecje të heshtur përgjatë Bulevardit Dëshmorët e Kombit.. “Të ecim së bashku si prindër që dimë t’i mbrojmë fëmijët tanë, familjet e atdheun tonë, duke shprehur me krenari qytetare, jo vetëm hidhërimin, po edhe indinjatën për jetën e humbur të bashkëmoshatarëve të kalamajve tanë të shfrytëzuar kafshërisht në të zezë e të vrarë barbarisht nga një bombë e kurdisur me vendimin e papërgjegjshëm të qeverisë sonë të paaftë e me bekimin e kryeministrit tonë të korruptuar; Të ecim së bashku, si burra e gra që nuk e ulin kokën, duke u bërë bashkëfajtorë të heshtur me ata që provokuan shpërthimin shurdhues e vrastar”,- tha Rama. Ecja e heshtur, ku edhe vetë kryetari i PS-së do të marrë pjesë si qytetar përkrah bashkëqytetarëve dhe bashkëqytetareve, do të organizohet ditën e Premte, në orën 17:30 në një homazh për fatkeqët e Gërdecit për të treguar, siç u shpreh kryesocialisti Edi Rama, se “kjo çudi nuk mund, nuk duhet e nuk do të zgjasë tre ditë!”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›