Gërdeci, Berisha: S
Kryeministri tha se për Gërdecin ka dëgjuar vetëm ditën e tragjedisë.
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka hequr çdo përgjegjësi ligjore nga vetja dje teksa ka raportuar në Kuvend lidhur me ngjarjen e rëndë të Gërdecit. Duke theksuar se, kjo katastrofë nuk erdhi për shkaqe natyrore por nga shkaqe të mirëfillta njerëzore, kryeministri i është përgjigjur dje kryesocialistit Edi Rama duke nxjerrë në pah përmes përgjigjeve të tij se ai nuk ka asnjë përgjegjësi personale, porse në të njëjtën kohë është i gatshëm që ti përgjigjet çdo lloj forme të hetimit. “Tani unë dua ti përgjigjem apelit të kryetarit tuaj, i cili sot kërkon se kryeministri duhet të japë dorëheqjen sepse ka bërë tre mashtrime. Ministria e Mbrojtjes kishte për detyrë vetëm transportin dhe na gënjeu. Kryeministri ka bërë çdo orë transparencën. Kam deklaruar ato që më janë raportuar. Kam deklaruar se kjo është marrëdhënie kontraktuale në të cilën ministria ka vetëm detyrën e transportit. Ministria zotohej të transportonte municionin. Në qoftë se gjeni ndonjë detyrim tjetër atëherë ky ka qenë raportim i pasaktë”, tha Berisha duke vijuar në sqarimin e deklaratës së dytë të tij se në fabrikën e Gërdecit nuk punonin fëmijë. “Kam deklaruar se në listën e dorëzuar nga autoritet e kompanisë nuk figurojnë fëmijë, por kam deklaruar mbrapa se nuk përjashtoj punën në të zi. Asnjë mashtrim dhe asgjë. Merrni listën që kanë dorëzuar ai i punishtes. Më kanë thënë se nuk ka fëmijë”, tha Berisha, i cili me pas shtoi se atij i ishte raportuar së punonin122 punëtorë. Kryeministri tha se nuk ka pasur asnjë dijeni për poligonin e Gërdecit, pasi, sipas tij, ligjet që ishin bërë dikur nga socialistët në pushtet përjashtonin kryeministrin lidhur me dijeninë e tij për vendndodhjen dhe dislokimin e reparteve ushtarake. “Kryeministri di vetëm repartin që viziton, sepse kryeministri nuk ka asnjë tagër as për vendndodhjen as për zhvendosjen e reparteve ushtarake. Ligjet e vendit, dislokimin e forcave të armatosura ia japin ministrit, shtabit dhe presidentit. Unë s’mund të marr asnjë vendim për asnjë vendndodhje, asnjë dislokim”,- tha ai. Madje, kryeministri i vendit citoi në deklaratën e tij se për herë të parë ai e kishte dëgjuar Gërdecin pikërisht ditën e tragjedisë. Berisha ftoi opozitën që të ngrinte një komision hetimor që të hetoje të vërtetën, dhe se tashmë ka një organ akuze së cilës Berisha tashmë i beson.