Ceka: Projekti i PS synon përçarjen dhe parcelizimin
• Neritan Ceka akuzon kryetarin e PS-së Rama, për mungesë transparence në reformën zgjedhore.Presidenti i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, tha dje se "nuk ka një koalicion opozitar, sepse koalicioni i 18 shkurtit e kreu funksionin e tij". Sipas tij, "para se të ndodhnin këto reagime të LSI-së, ka pasur një tryezë opozitare, që ka funksionuar normalisht në ndërmarrjen e aksioneve të përbashkëta politike, por për fat të keq, në këtë tryezë nuk është paraqitur projekti i PS-së për reformën zgjedhore, ndërkohë që ka një propozim të partive të tjera, me të cilën janë bashkuar edhe partitë e vogla të koalicionit qeverisës". Kryealeancisti hodhi dyshime në lidhje me bashkëpunimin PS-PD. "Heshtja e PS-së, ka krijuar dyshimin e një prapaskene midis PD-PS dhe si rrjedhim ka ardhur edhe reagimi i lidershipit të LSI-së", theksoi Ceka. Ai shtoi se, "PAD-ja i bashkohet iniciativës së LSI-së për të krijuar një front, që nga e majta deri tek e djathta, për një reformë të ndershme, transparente, një reformë që do të siguronte unitetin e vendit dhe jo përçarjen apo parcelizimin, siç tenton ligji ose projekti i PS". Sipas tij, "çështja e koalicionit në përgjithësi, është një çështje që lidhet me zgjedhjet dhe zgjedhjet kanë kohë ende edhe një vit dhe përveç të tjerave koalicioni do të përcaktohet nga ligji". "Ligji që ne kemi propozuar, me të cilin është bashkuar edhe LSI-ja, është një ligj i cili parashikon koalicionet pas zgjedhjeve", u përgjigj Ceka. Ndërkohë, i pyetur në lidhje me mbështetjen që kjo forcë politike, i jep kreut të LSI-së, Ceka tha se, "ajo që shpall LSI-ja, natyrisht që nuk përfshin Aleancën Demokratike, pra ne nuk do të jemi pjesë e koalicionit të majtë, sepse ne jemi parti e qendrës". Kreu i PAD-së përsëriti edhe njëherë nevojën e vazhdimit të diskutimit në komisionin për Reformën Zgjedhore. "Ajo që ne kemi kërkuar, është të vazhdojë ky diskutim në tryezën e partive opozitare dhe të dalim në një mendim të përbashkët, përderisa Partia Demokratike ka shpallur se do të pranonte çdo propozim që vjen nga opozita", u shpreh Ceka.