Meta: Lidershipi i PS, ortak me Berishën kundër të majtës
• Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, akuzoi dje Edi Ramën për ortakëri me Sali Berishën kundër interesave të koalicionit opozitar.Aristir LumeziDuke iu përgjigjur deklaratave të vetë Ramës të bëra një ditë më parë, Meta tha se, "Rama i donte shumë aleatët e tij para zgjedhjeve për pushtetin vendor". Këtë deklaratë Meta e bëri nga qyteti i Durrësit. "Jo vetëm që lidershipi i kësaj partie tregon arrogancë me aleatët, të cilët i donte shumë para zgjedhjeve lokale të 18 shkurtit, por lidershipi i Partisë Socialiste është bërë ortak me Berishën për të realizuar një reformë si vijim i reformave të mëparshme të dështuara", tha Meta. Kreu i LSI-së e ka konsideruar këtë sjellje të PS-së dhe udhëheqjes së saj një politikë të vjetër, e cila kërkon të cenojë dinjitetin e qytetarit. "Politikë e vjetër njëkohësisht është përdorimi i standardeve të dyfishta, dhe të paprincipta, që t'i thuash partisë tënde dhe elektoratit që "unë e çmoj dhe e respektoj votën e çdo qytetari për të kontribuar, ndaj edhe pranoj parimin "Një anëtar, një votë", dhe pastaj të kërkosh t'i imponosh qytetarit shqiptar dhe partisë tënde zgjedhje me lista të mbyllura", tha Meta. Duke analizuar rëndësinë e reformës zgjedhore, e cila sipas tij duhej të ishte realizuar menjëherë pas zgjedhjeve të 2005-ës, Meta akuzoi dy partitë e mëdha, PS-PD se do realizojnë një reformë të minutës së fundit në kurriz të standardeve. "Për fat të keq, ne shohim se krerët e këtyre dy forcave politike, janë të vendosur për të bërë marrëzinë e radhës, që do të thotë, për t'u imponuar shqiptarëve një kod zgjedhor që do të cenojë standardet e zgjedhjeve. Aq më keq që duan ta bëjnë këtë duke e shpallur se gjoja po realizohet në emër të ftesës për t'u anëtarësuar në NATO", u shpreh Meta. Sipas Metës, politikë e re nuk mund të quhet bllokimi i komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore dhe as mungesa e transparencës për të realizuar një reformë transparente zgjedhore. Por kreu i LSI-së dje hodhi hije dyshimi për mungesë vullneti nga ana e Ramës dhe Berishës për bërjen e reformës zgjedhore. "Në vjeshtën e 2005-ës, unë i kam kërkuar takim zyrtar edhe zotit Rama që sapo ishte zgjedhur kryetari i PS-së, edhe zotit Berisha që ishte Kryeministër, me qëllim që të diskutonim në kohë realizimin e reformës zgjedhore, e cila do të na kishte ndihmuar edhe për të evituar ato situata absurde që u krijuan për zgjedhjet vendore për çështjen e certifikatave. Për fat të keq, kryetari i PS-së nuk e pranoi këtë takim për të diskutuar për reformën zgjedhore, ashtu si dhe Berisha", tha Meta. Sipas tij, "sistemi zgjedhor që dy partitë synojnë të promovojnë mund t'u garantojë kontrollin e partisë dhe të listave të deputetëve të partisë nga lidershipi i PS-së, por dëmton votat e koalicionit të majtë dhe njëkohësisht favorizon maxhorancën dhe qeverinë aktuale". Kreu socialist dy ditë më parë ka lajmëruar shkëputjen e LSI-së nga koalicioni opozitar i drejtuar nga Partia Socialiste dhe kërkoi krijimin e një koalicioni të ri opozitar, "E majta për integrim". "Duke afirmuar idenë e këtij koalicioni të ri, nuk ka si qëllim vendosjen kundër Partisë Socialiste dhe forcat e tjera të majta. Përkundrazi, ka si qëllim që të përfaqësojë dhe të bashkojë në këtë koalicion shumë më tepër forca të majta, shumë më tepër faktorë të së majtës, shumë më tepër qytetarë, të cilët ndjehen të papërfaqësuar nga lidershipi aktual i Partisë Socialiste", u shpreh Meta.