E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDS: Opozita po riciklon krizat

• Partia Demokracia Sociale reagoi dje përmes sekretarit Politik të saj, Artur Duçkallari, pas ngërçit të krijuar me bllokimin e reformës zgjedhore."Opozita shqiptare po riciklon krizën në gjirin e saj dhe nëse nuk reflektohet shpejt dhe me përgjegjësi, do të dëmtohet rëndë e në mënyrë të pakthyeshme imazhi i saj dhe do të jetë e parealizueshme pritshmëria që ka elektorati i majtë shqiptar për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009". Partia Demokracia Sociale mbështet shqetësimet e ngritura nga LSI-ja në adresë të reformës zgjedhore dhe të funksionimit të koalicionit opozitar, duke deklaruar se, "në respekt të statutit të PDS-së, do të mblidhet Komiteti Drejtues Kombëtar i Partisë, i cili ka të drejtën të përcaktojë koalicionet politike dhe elektorale të saj". Në deklaratën e saj "PDS-ja bashkohet me shqetësimet e formuluara kohët e fundit, të cilat Demokracia Sociale i ka shprehur shumë herë publikisht, për mosfunksionimin e koalicionit opozitar, për mungesën e transparencës dhe të marrëdhënieve selektive në gjirin e tij, për spontanitet dhe imponime subjektiviste në veprimtarinë e tij". Duçkallari i konsideron të pasinqerta përpjekjet e PS-së për realizimin e reformës zgjedhore. "PDS-ja shpreh keqardhjen dhe mospajtimin e saj ndaj qëndrimeve që Partia Socialiste po mban për reformën zgjedhore, duke mos bërë përpjekje të sinqerta që të gjejë formula bashkëpunimi me aleatët e saj të fitores së djeshme dhe me partnerët e saj të ditëve të vështira". Në këtë kontekst, "PDS ka propozuar mbledhjen urgjente të tryezës së kryetarëve të partive të koalicionit, për të shqyrtuar e diskutuar rreth mosmarrëveshjeve që janë akumuluar dhe për të bërë përpjekje të sinqerta e kolektive, për të arritur në qëndrime të përbashkëta pa paragjykime dhe larg llogarive që nuk prodhojnë veç përçarje".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›