Ja projekti për fabrikën e Balldrenit
• Projekti për ndërtimin e fabrikës së çimentos në Balldren, është shumë larg asaj që mund të jetë paraqitur deri tani.Detajet, ose më saktë investimet në këtë zonë të vendit nga grupi Fassa&Berberi, shqiptaro-italian, do ta kthejnë këtë zonë në një ndër më të privilegjuarat. Sipas projektit, ndërtimi i fabrikës është vetëm një ndër komponentët. Pas saj qëndrojnë ndërtimi i terminaleve të reja në portin e Shëngjinit dhe një tunel nëntokësor që do të lidhë fabrikën me anijet. Një risi kjo për industrinë shqiptare. Fabrika, e cila parashikon të mbarojë pas 2.5 vitesh, parashikon të punësojë rreth 250 persona. Garancia për kapacitetin e saj dhe cilësinë e produkteve e jep vetë emri i kompanisë italiane "Fassa". Ndërsa për sa i përket mbrojtjes së ambientit, shifrat e dhëna hedhin poshtë të gjithë zërat për ndotje. Mjafton të krahasosh se tubat e fabrikës do të ndotin ambientin për një orë, aq sa e ndotin ambientin 10 makina gjatë qëndrimit në semafor për një minutë. Kjo matje e paraqitur nga investitorët i bën të paafta logjikisht të gjitha pretendimet e tjera.Mediat italianeNjë jehonë të madhe lajmit për lejen e ndërtimit të fabrikës i kanë bërë edhe mediat italiane. "La Repubblica", "Corriere Dela Sera" dhe "La Tribuna", i kanë dhënë hapësirë në faqet e tyre këtij investime. Ja çfarë kanë shkruar gazetat: "Në 17 janar autoritetet shqiptare kanë nënshkruar një dokument që autorizon shoqërinë 'Fassa- Berberi', e kontrolluar 74 për qind nga grupi 'Fassa' dhe 26 për qind nga një aksioner shqiptar në ndërtimin e fabrikës për prodhimin e çimentos në Balldren në veri të Shqipërisë. Fillimi i punimeve është parashikuar në vjeshtën e vitit 2008 dhe do të jetë hapi i parë i një programi të detajuar zgjerimi, që do të shikojë grupin "Fassa" jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha vendet e Mesdheut. "E kam vlerësuar shumë shpejtësinë me të cilën autoritetet shqiptare kanë marrë këtë vendim", tha presidenti i grupit, Paolo Fassa, duke shtuar se uron që ky bashkëpunim mund të nxisë shoqëri të tjera italiane të investojnë në Shqipëri.Kryeministri i Shqipërisë, Berisha, ka marrë pjesë në prezantimin teknik, gjatë të cilit janë ilustruar objektivët dhe faza të ndryshme të planit të zhvillimit, të parashikuara nga kjo shoqëri në territorin shqiptar: fabrika e re do të realizohet në dy vjet e gjysmë, në të do të përdoren teknologjitë më moderne të sektorit dhe parashikohet një investim i përgjithshëm rreth 200 milionë euro. Parashikohet që do të jetë i nevojshëm edhe angazhimi i 250 punonjësve. Projektet e ardhshme të zgjerimit të grupit "Fassa", përveçse në Shqipëri do të drejtohen edhe në shigjeta të tjera. Në fakt, pas pak muajsh do të nisë ndërtimi i një fabrike në Kroaci, ku do të vendoset edhe një impiant për përzierjen e materialeve. Në Itali ky grup ka përfunduar në fund të vitit 2007 një fabrikë në Bitono, në Bari dhe në të njëjtin vit kanë nisur punimet për të realizuar për prodhimin e kartonxhesit në Asti, gjë që do t'i mundësojë kësaj kompanie oferta të tjera në fushën e ndërtimit. Ky projekt i rëndësishëm zgjerimi i grupit "Fassa", qendra e të cilit është Spresiano, provincë e Trevisos, ka rrënjë të forta në një grup që ka mbyllur vitin 2007 me një faturë prej 328 milionë eurosh (+6.8% më shumë se 2006).Politika e investimeve në tetë vitet e fundit i ka mundësuar këtij grupi të kalojë nga 3 në 13 njësi produktive, deri tani 12 në Itali dhe një në Portugali, me tre filiale tregtare në Itali dhe tre në Zvicër. Në fushën kulturore shoqëria e Spresianos, së fundmi ka restauruar afresket e pallatit "Tre ccento" në Treviso dhe promovon prej pesë vitesh një çmim ndërkombëtar për të nxitur arkitekturën "e qëndrueshme".