Heroina, mosha mesatare e përdoruesve është 15 vjeç
• Mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogës është 14-15 vjeç.Alarmin e ngrenë jo vetëm të dhënat statistikore të Ministrisë së Shëndetësisë, por edhe disa prej qendrave ku trajtohen këta përdorues. Shumica e këtyre adoleshentëve e nisin nga drogat e lehta si marihuana për të kaluar më pas tek ato vdekjeprurëset si heroina dhe kokaina. Madje, për shumë prej gjimnazistëve të kryeqytetit, tymosja e hashashit është kthyer në diçka "normale". Atë mund ta gjesh shumë shpejt në ambientet pranë shkollave të mesme, ku shpërndarësit e kanë më të lehtë të kapin "gjahun". Harta e përdoruesve të drogës është e shtrirë në të gjithë vendin, ku përveç qyteteve të mëdha problematike janë edhe qytete të vogla si Lushnja dhe Gramshi. Sipas të dhënave të "Aksion Plus", një prej qendrave të trajtimit të këtyre personave, rreth 8000-10000 përdorues injektojnë kryesisht heroinë, si dhe përdorin të njëjtat shiringa, duke shtuar rreziqet për shëndetin e tyre. Ky është një nga shkaqet themelore për përhapjen e SIDA-s dhe infeksioneve të tjera seksualisht të transmetueshme. Ministria e Shëndetësisë raporton ndërkohë rreth 30 mijë përdorues droge dhe numri i tyre sa vjen e rritet dita-ditës.