E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patentat, 2 muaj për të ndjekur kursin

 

Fabiola Çela

Për të ndjekur kursin e patentës, tashmë të duhet më shumë kohë. Kursi i marrjes së patentës është konceptuar në dy faza, teori dhe praktikë, por sipas udhëzimit të ri të Ministrisë së Transporteve, ky kurs tashmë do të jetë dy muaj, nga një muaj që ishte më parë. Për të marrë provimin e teorisë, kursantët duhet të japin përgjigje pozitive për 30 pyetje të testit, nga 40 që përmban ai. Ata që arrijnë të marrin provimin e teorisë mund të kalojnë në fazën tjetër të testimit, që është praktika.
Provimi
Për të marrë një leje drejtimi për autovetura, apo siç i thonë ndryshe patentë, duhet të ndjekësh kursin e teorisë, i cili sipas ndryshimeve të bëra zgjat jo më pak se 20 ditë. Por përveç kësaj, kursantët duhet të ndjekin fazën e dytë të kursit, që ka të bëjë me praktikën dhe për autoveturat kjo fazë zgjat jo më pak se 30 ditë. Kursantët fitojnë provën e kontrollit të njohurive teorike për leje drejtimi mjeti kur i përgjigjen në mënyrë korrekte 30 pyetjeve ose më shumë, nga 40 pyetje që përmban testi. Testet hartohen nga specialistët e DPSHTRR-së. Koha e provës së verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes për leje drejtimi mjeti, nuk duhet të jetë më pak se 25 minuta për kategoritë A, B. Kursantët
Mund të merren në provë përkatëse nga komisioni, pa realizuar programin e plotë të njohurive teorike ose programin e plotë të aftësive drejtuese e të sjelljes. Personat e interesuar për leje drejtimi mjeti kanë të drejtë të paraqiten në provë deri në 5 herë. Kursantët që nuk marrin provën e parë mund të rifuten në provë mbas 15 ditëve nga dita e provës që nuk kanë fituar.
Në rastin kur kursanti nuk fiton provën e verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes, për një periudhë dyvjeçare, duhet të rifutet në provën e kontrollit të njohurive teorike.
Shtetasit e huaj
Sipas udhëzimit të ri të Ministrisë së Transporteve, të gjithë personat e interesuar që nuk janë shtetas shqiptarë, mund të pajisen me leje drejtimi të mjetit pasi të paraqesin dokumentacionin e duhur, si dhe të kenë plotësuar formularët sipas modelit të hartuar nga DPSHTRR-ja. Ndërsa vërtetimi i vendbanimit do të zëvendësohet me fotokopje të lejes së qëndrimit, të legalizuar. Rregullat e përgatitjes dhe të provave për të marrë leje drejtimi mjeti, për këta persona të interesuar që nuk janë shtetas shqiptarë, janë të njëjta si për shtetasit shqiptarë.

Rriten tarifat e patentave

Për të marrë një leje drejtimi për automjetet, tashmë kushton më shumë para. Sipas vendimit të miratuar në gusht të këtij viti nga qeveria, marrja e një patente kushton minimalisht 450 mijë lekë (të vjetra). Për çdo kursant që fiton lejen e drejtimit, plotësohet dosja përkatëse. Mbi të vendoset emri, mbiemri, atësia, amësia, datëlindja, vendlindja, vendbanimi dhe numri i protokollit.

oret e kursit

Teoria
1. Për leje drejtimi të kategorisë A 36 orë, në jo më pak se 14 ditë;
2. Për leje drejtimi të kategorisë B 54 orë, në jo më pak se 20 ditë;
3. Për leje drejtimi të kategorisë C 30 orë, në jo më pak se 12 ditë;
4. Për leje drejtimi të kategorisë D 30 orë, në jo më pak se 12 ditë;
5. Për leje drejtimi të kategorisë BE 12 orë, në jo më pak se 5 ditë;
6. Për leje drejtimi të kategorisë CE 16 orë, në jo më pak se 6 ditë;
7. Për leje drejtimi të kategorisë DE 16 orë, në jo më pak se 6 ditë.

Praktika
1. Për leje drejtimi të kategorisë A 12 orë, në jo më pak se 10 ditë;
2. Për leje drejtimi të kategorisë B 36 orë, në jo më pak se 30 ditë;
3. Për leje drejtimi të kategorisë C 18 orë, në jo më pak se 15 ditë;
4. Për leje drejtimi të kategorisë D 18 orë, në jo më pak se 15 ditë;
5. Për leje drejtimi të kategorisë BE 8 orë, në jo më pak se 6 ditë;
6. Për leje drejtimi të kategorisë CE 12 orë, në jo më pak se 10 ditë;
7. Për leje drejtimi të kategorisë DE 12 orë, në jo më pak se 10 ditë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›