Bumçi e Alibeaj, dëshmitarë për Gërdecin
Trazhgim Sokolaj
Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj dhe paraardhësi i tij Aldo Bumçi, janë dy dëshmitarët e radhës që Prokuroria e Për-gjithshme do të marrë në pyetje në kuadër të hetimeve për tragjedinë e Gërdecit. Burimet nga Prokuroria konfirmuan, se ministri Alibeaj dhe ish-ministri Bumçi pritet të thirren brenda pak ditëve për të dhënë sqarime për mënyrën si u hartua vendimi i Qeverisë, që i hapi rrugë nënshkrimit të kontratës me firmën amerikane Southern Ammounition Company për çmontimin e municioneve në Gërdec. Prokuroria konfirmoi se ka gjetur dokumente, sipas të cilave, ministri aktual i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, ka pasur dijeni, madje ka qenë i angazhuar në procedurën e përgatitjes së vendimit të Qeverisë. Alibeaj mësohet se ka marrë dijeni, madje ka ndihmuar realizimin e këtyre procedurave në cilësinë e ish-këshilltarit të Kryeministrit për Auditin e Brendshëm dhe Antikorrupsionin. Nga ana tjetër deputeti i Partisë Demo-kratike Aldo Bumçi, sipas Prokurorisë, ka marrë dijeni mbi përgatitjen e VKM-së, në cilësinë e ministrit të Drejtësisë. Në kohën kur Ministria e Mbrojtjes ishte duke hartuar projektin e VKM-së për të çuar atë në Qeveri, i gjithë dokumentacioni i është dërguar për mendim Ministrisë së Drejtësisë. Dosja është mbajtur në Drejtorinë e Kodifikimit në këtë institucion dhe më pas është firmosur nga ish-ministri Aldo Bumçi, i cili ka vendosur të dërgojë miratimin e tij në Qeveri për projektin e Ministrisë së Mbrojtjes, "për lidhje kontrate me kompaninë amerikane SAC me objekt çmontim municioni". Sipas prokurorisë, shkresa e firmosur nga Aldo Bumçi dhe e dalë prej zyrës së tij mban numrin e protokollit 1594/1 dhe datën 9 mars 2007.
Dyshimet për VKM-në
Sipas dokumenteve që disponon prokuroria, projekti i Ministrisë së Mbrojtjes për hartimin e VKM-së, ka mbërritur në dikasterin e drejtuar nga Aldo Bumçi më 5 mars 2007, ndërsa kreu i institucionit është përgjigjur brenda katër ditëve. Në këtë mënyrë, në Qeveri ka shkuar projekti "Për procedurën e çmontimit, demilitarizimit dhe të tjetërsimit të një sasie të municioneve të FA-së, të dalë nga armatimi dhe përdorimi me kompaninë Amerikane SAC". Nga dokumentet e gjetura prej Prokurorisë, rezulton se Ministri i Financave Ridvan Bode, ka qenë kundër miratimit të projektit, me argumentin se nuk mund të paracaktohej me vendim qeverie kompania që do të kryente çmontimin. Në fakt, Ministria e Mbrojtjes, ish-ministri Bumçi dhe vetë ministri aktual i Drejtësisë Alibeaj, që kishte marrë pjesë në konsultat për hartimin e projekt-VKM-së, ishin shprehur dakord me paracaktimin e firmës, që do të çmontonte municionet. Pas kundërshtimeve nga ministri i Financave, Qeveria miratoi më 14 mars 2007, VKM-në nr. 138, "Për procedurat e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi", duke hequr kështu paracaktimin e firmës, që do të kryente këtë proces, çka ishte tentuar të realizohej nga Ministria e Mbrojtjes në projektin e propozuar prej saj.
Delijorgji
Në Ministrinë e Mbrojtjes e më pas në Qeveri, është dërguar projektvendimi për nënshkrimin e kontratës së çmontimit të municioneve me kompaninë amerikane SAC, por në të vërtetë pas gjithë kësaj veprimtarie qëndronte Mihal Delijorgji. Ky i fundit bëri edhe rinovimin e kontratës, duke vazhduar aktivitetin e çmontimit të predhave, veprimtari kjo, që po kryhej në kohën kur ndodhi tragjedia e Gërdecit, e cila shkaktoi 26 të vdekur e mbi 300 të plagosur.