Ceka: Varrezat, nuk është vepruar me kompetencë
Aristir Lumezi
Neritan Ceka e cilëson veprim pa kompetencën e duhur caktimin e varrezave greke në Shqipëri.I pyetur nga gazeta “Panorama”, Ceka në pozicionin e historianit dhe arkeologut me përvojë shprehet se nuk janë marrë në konsideratë mendimet e specialistëve për këtë çështje. “Unë besoj se është bërë pa kompetencë. Në radhë të parë, në raste gërmimesh të varreve, duhet të konsultohen arkeologët, por dhe antropologët, të cilët do të bëjnë përcaktimin nëse kemi të bëjmë me varre ushtarësh apo varre civile”, tha Ceka. Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, i cili ka shfaqur vazhdimisht ndjeshmëri profesionale dhe qytetare për tema të tilla, tha dje se “nuk kam dijeni të jenë marrë specialistë të tillë në konkretizimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë për varret e ushtarëve grekë në vendin tonë”. Dy ditë më parë Shqipëria dhe Greqia bënë të njohur marrëveshjen zyrtare për ngritjen e dy varrezave në Shqipëri për ushtarët grekë të rënë në territorin shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dy vjet më parë, skandali me eshtrat e ushtarëve grekë të rënë në territorin shqiptar bëri xhiro mediatike në të gjithë botën. Fshati i Kosinës me priftin e saj Thomollari mori emrin e keq, pasi nën rrasën e klerikut fshihej një skandal, ku në kutitë e eshtrave të ushtarëve të rënë, u gjendën eshtra fëmijësh dhe pleqsh, banorë të këtij fshati. U desh ndërhyrja e Prokurorisë shqiptare, që procesi i mbledhjes së eshtrave të çdo të vdekuri, që deklarohej si ushtar i rënë në Luftën e Dytë Botërore të ndërpritej.
MSA
Nënshkrimi i marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë për ndërtimin e dy varrezave të ushtarëve grekë në vendin tonë, veç një aspekti pozitiv në marrëdhëniet mes dy vendeve, i hap rrugë ratifikimit nga ana e Parlamentit grek të MSA-së mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Vendi fqinj është i fundit anëtar i BE-së që nuk ka ratifikuar dokumentin, që lidh Shqipërinë me Komunitetin Evropian, por as Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Bllokimin e MSA-së për shkak të ndërtimit të varrezave e konfirmoi pak javë më parë edhe nënkryetari i Parlamentit fqinj Jorgos Surlas. Dy ditë më parë, Ministria e Jashtme greke përmes një deklarate për shtyp njoftoi arritjen e kësaj marrëveshje. “Fryma e bashkëpunimit të sinqertë e konstruktiv, si dhe e mirëkuptimit të dyanshëm bëri të mundur që të marrë zgjidhjen e duhur edhe një çështje e tillë e ndjeshme për të dy vendet tona, siç është ajo e vendprehjes së ushtarakëve grekë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme greke. Kjo ministri shpreh bindjen se siglimi i kësaj marrëveshje do t`i kontribuojë thellimit dhe intensifikimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera, që ekzistojnë midis dy vendeve tona mike”, thuhet në komunikatën për shtyp të Ministrisë së Jashtme në Tiranë. Pavarësisht faktit se dy ministritë nuk japin hollësi të marrëveshjes, bëhet e ditur se do të jenë dy varrezat që do të ndërtohen, nga katër që ka kërkuar Greqia. Varrezat do të jenë në fshatin minoritar Bularat në Gjirokastër si dhe në Këlcyrë. Burime diplomatike bëjnë të ditur gjithashtu, se është rënë dakord që eshtrat e ushtarëve grekë të rënë në Luftën e Dytë Botërore, kudo që janë, do të mblidhen në këto dy varreza, të cilat do të kenë përmasa të mëdha.
Zogaj: Marrëveshja pas negociatave serioze
Kryetari i komisionit parlamentar të Jashtëm, Preç Zogaj ka vlerësuar pozitivisht marrëveshjen e nënshkruar mes Shqipërisë dhe Greqisë për ndërtimin e dy varrezave të ushtarëve grekë në vendin tonë. Në një prononcim për gazetën “Panorama” ai u shpreh se “Është përfundimi i negociatave shumë serioze, që janë zhvilluar edhe në nivel ekspertësh, por edhe mes Ministrisë sonë të Jashtme dhe autoriteteve greke. Gjithashtu, janë përfshirë edhe zyrtarët e ministrive të Mbrojtjes. Me pak fjalë është përfundimi i një procesi bisedimesh shumë serioze, që ka të bëjë me një çështje humane”. I pyetur se sa transparente është kjo marrëveshje, Zogaj tha se “Mendoj se është një marrëveshje normale. Bisedimet nuk janë bërë në sheshin “Skënderbej”, janë bërë nëpër zyra. Nuk janë bërë para kamerave por nëpër zyra. Por përmbajtja e gjithë bisedimeve ka qenë e njohur për të gjithë autoritetet e vendit dhe është pjesë e marrëdhënieve normale që kemi me fqinjin tonë jugor”. Gjithsesi, sipas tij ratifikimi i MSA-së nuk ka lidhje me ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë.
Agolli: Po hapet oreksi i serbëve me varrezat e ushtarëve
Shqipëria duhet të jetë më dorështrënguar për të mos hapur oreksin e Serbisë për çështjen e varrezave të ushtarëve. Shkrimtari i njohur Dritëro Agolli, komentoi dje marrëveshjen e nënshkruar mes Shqipërisë dhe Greqisë për hapjen e dy varrezave të reja të ushtarëve të rënë në Shqipëri. Në këtë situatë, nuk është çudi që të kërkojë edhe Serbia, gjë që e bëri të qartë edhe prifti serb para pak ditësh në Shkodër. “Grekët nuk janë kombi i vetëm që kanë shkelur tokën shqiptare gjatë pushtimeve në kohën e luftërave botërore. Shqipëria ka qenë një shesh i madhe beteje mes ushtrish. Nëse do kërkonin të gjitha vendet të ngrinin varreza, ne nuk do të kishim vend ku të mbillnim. Por mesa duket qeveria jonë, shteti e ka menduar këtë gjë dhe është një anë pozitive, që nuk u bënë katër varreza por u bënë vetëm dy. Agolli e sheh me sy kritik këtë marrëveshje dhe shton se miratimi i saj ka lidhje me MSA-në, por dhe fatin e 600-700 mijë emigrantëve shqiptarë në Greqi.