E Diel, 1 Nëntor 2026

Ceka: Vizitat diplomatike të Topallit, opozita ka zili



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi dje në Kuvend se "mbështetja që ndërkombëtarët i japin Shqipërisë, është mbështetje ndaj reformave të qeverisë dhe kësaj mazhorance që i kanë mbrojtur me forcën më të madhe të gjitha reformat". Duke reaguar ndaj deklaratës së deputetes së PS-së, Arta Dade, sipas së cilës "kjo mazhorancë e mban Shqipërinë larg proceseve integruese", znj. Topalli tha se "si anëtare e Komisionit të Jashtëm ju keni qenë një dështim total, pasi gjatë këtyre 3 viteve nuk keni bërë asnjë hap, edhe pse keni qenë Ministre e Jashtme". Duke u ndalur te axhenda e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Topalli u shpreh se "si asnjëherë në këto 17 vite, ky Parlament ka pasur axhendën më aktive, ndërkohë që në tribunën e tij kanë folur Presidenti Barroso, presidentët e vendeve të ndryshme të BE-së. Ajo shprehu kënaqësinë se "në më pak se dy vite, MSA-ja është ratifikuar në 25 parlamente të botës". "Së bashku me Kryetarin e Parlamentit të Kroacisë u kemi shkruar letra gjithë kryetarëve të senateve të vendeve anëtare të NATO-s dhe menjëherë, jo më larg se tri ditë më parë, Presidenti Bush i kërkoi senatit amerikan që të ratifikojë Protokollin e Atlantikut të Veriut", - tha Topalli.

Qëndrimin e Topallit e ka lavdëruar dhe kreu i PAD-së, Neritan Ceka, i cili tha se Topalli nderon Shqipërinë në të gjithë botën. “Ju përshëndes dhe ju uroj për vizitën e shkëlqyer që bëtë në Itali; ju uroj aktivitet të gjatë në këtë drejtim për diplomacinë parlamentare. Me të vertëtë keni treguar jo vetëm një iniciativë, por edhe aftësi diplomatike, veçanërisht për vizitën e pasqyruar edhe në televizionin tonë. Nuk ishte vetëm reklamë, por ishte realitet. Do të shpresoja që këtë qëndrim elegant ta keni edhe kundrejt zotërinjve shqiptarë dho jo vetëm zotërinjve italianë, që po e shohin me një farë zilie fjalimin tim”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›