Berisha: PDK-ja në qeveri, kur të vendosë gjykata
“Negociata me kryetarin legjitim të PDK-së”
“PDK-ja është në gjyq, presim të mbyllet çështja”
PD-ja nuk ka mbyllur tërësisht negociatat me demokristianët për rikthim në qeveri, pas ndryshimeve të fundit të Kryeministrit në stafin qeveritar. Pengesa aktuale është procesi gjyqësor mes dy kampeve kundërshtare brenda PDK-së, për të cilat PD-ja duket se do të presë mbylljen e çështjes me qëllim rifillimin e bisedimeve. Kryeministri Sali Berisha për herë të parë pas lëvizjeve të tij në ekzekutiv, informoi dje grupin parlamentar të PD-së për ndryshimet që ka bërë në stafin qeveritar. Ai vlerësoi ministrat e rinj, teksa shpjegoi arsyet pse vendosi të largonte nga qeveria demokristianët. Berisha pohoi se ata kanë një problem mes tyre, gjë që i ka çuar në dyert e gjykatave duke hapur procese gjyqësore. “Ne, - mësohet të ketë thënë Berisha, - nuk mund të vendosim asgjë konkrete pa mbyllur debatet e brendshme që ata kanë. Unë pres për negociata kryetarin legjitim të PDK-së”, - është shprehur z.Berisha. Po ashtu, Kryeministri u ka bërë të qartë deputetëve të tij se PDK-së i ka ofruar postin e nënkryetarit të Kuvendit, vend tashmë i lënë bosh nga emërimi i Fatos Bejës ministër i Arsimit dhe Shkencës. Në këtë mënyrë, Berisha ka lënë të kuptohet se ende nuk ka një refuzim të fundit nga ana e demokristianëve për postin e nënkryetarit të Parlamentit. Po gjatë mbledhjes së djeshme të grupit kuvendor të PD-së, Kryeministri ka kërkuar që ligji për hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të shtetit të diskutohet në sesionin e ardhshëm parlamentar, që rifillon në muajin shtator. “E shtyjmë për në sesionin e ri kuvendor pavarësisht që PS-ja do që të mos hapen dosjet për ata që janë verifikuar njëherë, por s’ka asgjë të keqe që të rishikohen të gjithë. Ne donim ta bënim tani këtë ligj, por meqë PS-ja është konfuze e lëmë për në shtator”, - tha z.Berisha. Po në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së, mësohet se Kryeministri Berisha nuk ka dhënë direktiva të drejtpërdrejta për sa i përket qëndrimit që do të mbante PD-ja në momentin e diskutimit dhe votimit në seancën e pasdites për 6 kandidaturat e Gjykatës së Lartë. Guxim Zenelaj, Evelina Qirjako, Andi Çeliku, Majlinda Andrea, Arjana Fullani dhe Aleksandër Muskaj janë gjashtë emrat e dekretuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi për anëtarë të Gjykatës së Lartë.