Gjata përgëzon partitë për qetësinë e zgjedhjeve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përshëndeti dje përfundimin me sukses të plotë të procesit zgjedhor, në zgjedhjet e pjesshme për kryetar në Komunën e Kasharit. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata, vuri në dukje jo vetëm klimën e qetë e tepër qytetare që shoqëroi këtë proces jo vetëm në ditën e votimit, procesit të numërimit te votave, por dhe gjatë gjithë periudhës së fushatës elektorale. “Vullneti i duhur politik, bashkëpunimi ndërinstitucional, klima e besimit reciprok janë faktorë thelbësorë për realizimin e çdo procesi zgjedhor konform të gjitha standardeve. Për këtë arsye, KQZ-ja përgëzon të gjitha subjektet politike që u angazhuan në këtë garë elektorale për qëndrimin e tyre korrekt”, - tha ai. Kryetari i KQZ-së theksoi se ky qëndrim mundësoi zhvillimin e një procesi zgjedhor krejtësisht normal, duke pasur parasysh gjithmonë rolin e madh që ato kanë në zgjedhje. Sipas tij, procese të tilla model duhet të konsiderohen nga të gjithë si arritje, të cilat shërbejnë si pika referimi për të ardhmen, në përmbushje të standardeve të njohura dhe të pranuara ndërkombëtare. Më tej, Gjata kërkoi nga subjektet politike të mos neglizhojnë asnjë aspekt të procesit, pasi afatet ligjore nuk janë thjesht kufizime kohore, por një kohë fizike e domosdoshme për njohjen e administratës zgjedhore me të gjitha elementet ligjore e teknike, që ndikojnë drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e çdo procesi zgjedhor. “Nuk mund të mos përgëzoj dhe për këtë proces gazetarët e mediave elektronike e të shkruara, për profesionalizmin, objektivitetin dhe interesin e treguar në informimin me korrektësi të publikut”, - përfundoi Gjata.
Rezultatet e zgjedhjeve të shpallura nga KQZ-ja
Besnik Fuçia, kandidati i PD-së me 2,765 vota ose me 40.69 për qind
Alfred Bakalli i LSI-së, PDS-së, AD-së me 1,619 vota ose 23.82 për qind, Rustem Murati, kandidat i pavarur me 1,267 vota ose 18.64 për qind
Sinan Egra i PS-së me1,145 vota ose 16.85 për qind.