E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano: E lashë partinë të dytën, Edi e çoi të katërtën



Humbja në Kashar ka sjellë në vëmendje ish-kreun e PS-së

Leskaj: Jemi fokusuar tek gara e 2009-ës

Humbja e thellë e zgjedhjeve të pjesshme në Kashar dhe renditja si forca e katërt politike ka shkaktuar reagime brenda Partisë Socialiste. Ish-kreu i PS-së, Fatos Nano nuk e ka kapërdirë lehtësisht një renditje të tillë, aq sa ka dhënë dje një mesazh mes mbështetësve të tij kundër kreut aktual, Edi Rama. “E lamë partinë të dytën dhe e ka çuar të katërtën”, - mësohet të jetë shprehur Nano mes njerëzve mbështetës së tij. “Po do ia marrim partinë”, - ka vazhduar më tej komenti i ish-kryetarit të PS-së, i cili ditët e fundit është kthyer në Tiranë. Rezultati i shpallur dje në mëngjes mbi zgjedhjet në Kashar rendit me një numër të ulët votash Sinan Egrën e PS-së, ndërsa para tij ishte kandidati i LSI-së dhe kandidati i pavarur. Një renditje kjo, që ka surprizuar shumë, edhe pse e majta u paraqit e përçarë. Në mjaft gara elektorale Partia Socialiste ka rezultuar fituese, forcë e dytë ose e tretë, por asnjëherë forcë e fundit politike. Deputetët e PS-së janë mundur ta kalojnë në heshtje humbjen e kësaj sfide, ndërsa ish-kryetari i PS-së, Nano, s’e ka pritur aspak mirë. Ai ka shfrytëzuar rastin për të fajësuar pasardhësin e vet për këtë humbje. Të gjitha deklaratat e djeshme selia rozë i komentoi diku pasdreke, menjëherë pas mbarimit të mbledhjes së grupit. Kryetarja e grupit kuvendor socialist tha se zgjedhjet në Kashar ishin vetëm një garë simbolike dhe ajo nuk ia zbeh fitoren PS-së në vitin 2009. “Ishte një garë simbolike, një garë mes individëve, që nuk ka të bëjë me të ardhmen e zgjedhjeve të ardhshme. Ne shikojmë nga 2009-a”, - deklaroi Valentina Leskaj. Ndërsa ish-deputeti i PS-së, Petro Koçi, dha një tjetër këndvështrim të humbjes së zgjedhjeve dhe renditjes në vendin e katërt në këtë garë. Koçi deklaroi se gjithçka është rezultat i politikës së gabuar të Edi Ramës duke e komentuar se rezultati ishte votë kundër Ramës dhe jo PS-së. Sipas tij, “ka ardhur koha që zoti Rama të japë dorëheqjen, sepse është i paaftë për të bashkëpunuar me forcat e tjera të majta”. Megjithatë, rezultati që u arrit në këto zgjedhje nuk ishte një surprizë dhe e paparashikueshme. Kjo pse e majta u paraqitur e përçarë, pa i unifikuar votat. Ajo çka solli habi ishte renditja. Për herë të parë PS-ja u rendit e fundit në një garë elektorale duke marrë më shumë vota kandidati i pavarur dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Nga ana tjetër, diferenca mes mazhorancës dhe opozitës është shumë e madhe, çka është një tregues për performancën e dy forcave politike. Partia Socialiste u prezantua me Sinan Egrën, i cili ishte favorit kryesor për të qenë kandidat qysh në zgjedhjet e 2007-ës, por me ndërhyrjen e Gjinushit, PS-ja ia la këtë komunë PSD-së. Gjinushi fitoi, por disa muaj më vonë, kryetari i komunës u arrestua me disa akuza. Sipas Kodit Zgjedhor, nëse kryetari aktual i arrestuar nuk i zgjidhte problemet e tij me drejtësinë për 6 muaj, atëherë zhvillohen zgjedhjet e reja. Jo vetëm gjurmët e ish-kryetarit të komunës, por edhe paraqitja e së djathtës me votë të unifikuar bënë që PS-ja jo vetëm t’i humbte zgjedhjet, por edhe të renditej e fundit.

Petro Koçi

Gjithçka është rezultat i politikës së gabuar të Edi Ramës dhe rezultati ishte votë kundër Ramës dhe jo PS-së

Valentina Leskaj

Ishte një garë simbolike, një garë mes individëve, që nuk ka të bëjë me të ardhmen e zgjedhjeve të ardhshme

Meta: Sot të dytët, nesër të parët

Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim edhe pse nuk është fituese e këtyre zgjedhjeve, e përshëndeti rezultatin që ajo arriti. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha se nëse sot ajo doli forca e dytë politike, në 2009-ën ajo do të jetë forca e parë. “Sigurisht që do të kishim dëshiruar që sot të ishim forca fituese e zgjedhjeve në Kashar dhe jo thjesht forca e dytë politike në këto zgjedhje të djeshme. Natyrisht kjo ka qenë një sfidë e vështirë, sepse ata nuk janë ballafaquar me PD-në, por janë ballafaquar me të gjithë shtetin. I gjithë shteti dhe e gjithë qeveria dje ka qenë në Kashar. Kështu që ky rezultat me një rritje shumë të dukshme brenda një viti është një tregues tepër pozitiv për të ardhmen. Me pak fjalë, sot forcë e dytë, nesër forcë e parë”, - tha Meta. Madje nisur nga kjo, Meta e ka ftuar Ramën dhe partinë re tij që të bëhet pjesë e koalicionit që drejton. “Ne asnjëherë nuk kemi qenë përjashtues ndaj përfshirjes së Partisë Socialiste në koalicionin tonë, si koalicioni fitues i zgjedhjeve të ardhshme”, - deklaroi kreu i LSI-së, Ilir Meta. Por, përpos qëndrimeve publike, kënaqësia e LSI-së për këtë rezultat qëndron tjetërkund. Pavarësisht humbjes së zgjedhjeve, rezultoi se kandidati i kësaj partie ishte para atij të PS-së me një diferencë të madhe votash në raport me numrin e zgjedhësve të kësaj komune. Në këtë rast, i vetëm duket se Meta ka humbur zgjedhjet, por ka fituar një betejë politike kundër Edi Ramës, çka ishte synimi i tij qysh në fillim të kësaj gare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›