E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ceka dhe Reçi asnjë fjalë në gjykatë, mbeten në burg

11/06/2005  TIRANË – Nuk kanë dhënë asnjë sqarim para gjykatës për veprimtarinë e tyre. Erdhën në orën 11.00 të shoqëruar nga punonjësit e policisë dhe në sallën e gjyqit janë mjaftuar me mbrojtjen e avokatit Mark Pëllumbi. Ky i fundit nuk ishte dakord me kërkesën e prokurorit Genci Qano për të lënë në burg të pandehurit me kërkesë të autoriteteve italiane. Sipas avokatit, Prokuroria nuk ka asnjë të drejtë të lërë në burg të pandehurit për aq kohë sa dosja me prova ende nuk ka mbërritur dhe nuk dihet nëse janë apo jo të implikuar në krime. Megjithatë, prokurori Genci Qano tha dje se, Emiliano Reçi, 35 vjeç dhe Artur Ceka, 28 vjeç, akuzohen se në periudha kohore të ndryshme kanë grabitur disa vila në veri të Italisë, kanë kryer trafik ndërkombëtar droge, kanë vrarë disa njerëz. Të gjitha veprat janë kryer në bashkëpunim, tha prokurori. Sipas tij, në këtë rrjet janë 18 persona. Shumica janë arrestuar dhe kanë marrë masën e arrestit nga drejtësia italiane. Përfaqësuesi i akuzës, tha dje se në dosjen e autoriteteve italiane ndodhen të gjitha provat. Që nga përgjimet, dëshmitë e personave të dëmtuar, procesverbalet e paraqitjes për njohje si dhe prova materiale. Gjurmët e gishtave dhe përgjimet janë prova kryesore. Pritet që shumë shpejt dosja të mbërrijë në rrugë zyrtare nga autoritetet italiane. Nga ana tjetër, edhe Prokuroria për Krime të Rënda ka kryer disa hetime shtesë. Dy të pandehurit, shpallur në kërkim ndërkombëtar, janë lokalizuar në vendndodhjet e tyre në Laç. Disa ditë para arrestimit, mbrëmjen e së mërkurës, Reçi dhe Ceka janë përgjuar. Më tej aksioni ka qenë në fshehtësi të plotë dhe të pandehurit janë kapur në banesat e tyre, pa mundur të bëjnë rezistencë. Në momentin e arrestimit të të pandehurve, në banesa u është bërë kontroll. Janë gjetur sende me vlerë, të cilat rezultojnë të jenë grabitur në disa vila të shtetasve italianë. Vendimi dje u dha nga gjyqtari i Krimeve të Rënda, Dritan Hallunaj. Pas dhënies së vendimit, avokati tha se do të bëjë apel për ta kundërshtuar atë si të padrejtë dhe i pambështetur në prova.

Alma Çuka

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›