E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lamaj, avokatët kundërshtojnë provat e akuzës

11/06/2005  TIRANË – Gjykata e Lartë më në fund i hap rrugë fillimit të gjykimit për të pandehurin Altin Lamaj. I përfaqësuar nga dy avokatë mbrojtës, Genci Gjokutaj dhe Fatos Shanaj, Lamaj nuk pranoi të marrë pjesë në gjyq. Dje, avokatët patën mundësinë të kundërshtojnë provat e akuzës. Mbrojtja i kërkoi gjykatës të shpallë si të pavlefshme të gjitha provat që kanë të bëjnë me të pandehurin. Bëhet fjalë për aktin e ekspertimit daktiloskopik të gjurmëve të gishtave, shpalljen si të pavlefshme të provës materiale të gjurmëve të gishtave si dhe të gjitha provave të tjera që ndodhen në dosjen e gjykimit. Pas paraqitjes së listës me kundërshtime, avokati kërkoi kohë për pregatitje. Seanca tjetër do të zhvillohet në datën 17 qershor. Ndaj Lamajt deri tani nuk ishte zhvilluar asnjë seancë gjyqësore, ndërsa afatet e paraburgimit vazhdonin të pezulloheshin me vendim gjykate. Lamaj ka ardhur në gjyq vetëm në dy seancat e para, kur shoku i tij Elidon Kotorri, ende nuk ishte dënuar. Pas dënimit të Kotorrit me burgim të përjetshëm, Altin Lamaj refuzon të marrë pjesë në gjyq, duke dërguar herë pas herë copa letre për trupin gjykues. Në të gjitha rastet gjykata është detyruar të shtyjë seancat gjyqësore për t'i dhënë kohë të pandehurit të paraqitet në gjyq. Altin Lamaj është pronar i lokal "Venecia". Dyshohet se në bashkëpunim me Elidon Kotorrin ka kryer disa vepra penale në periudhën kohore 1999–2000. Bëhet fjalë për disa vrasje që ndodhën në zonën e Tiranës së Re, ku gjetën vdekjen pesë persona. Ndaj Lamajt rëndon edhe akuza e vrasjes së djalit të Kudret Çelës, Alban Çela. Për të njëjtat akuza, Kotorri u dënua me burgim të përjetshëm, pak kohë më parë nga Apeli. Altin Lamaj u ndalua dhe më pas u arrestua nga policia mesin e vitit të kaluar. Shkak u bë ardhja e aparatit të ri për zbulimin e gjurmëve të gishtave.

Alma Çuka

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›