E Hënë, 2 Nëntor 2026

Procedurat e letër-porosive vonojnë hetimet

11/06/2005  Letër-porositë për shkëmbim të informacioneve dhe provave kundër bandave të strukturuara kriminale, kanë sjellë një ngadalësim të hetimit të Prokurorisë shqiptare. Kjo, pasi një letër-porosi zyrtare duhet të kalojë në disa procedura të drejtësive të vendeve të tjera ku dërgohet. Qoftë edhe një informacion i vetëm duhet të kalojë në këto procedura, që duke përfshirë edhe kohëzgjatjen e postës, vonon edhe për disa muaj. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se kjo vonesë e procedurave të letër-porosive në mjaft raste, ka stërzgjatur hetimet kundër bandave të organizuara. Kështu, nga burimet mësohet se në mjaft vende letër-porosia e ardhur për shkëmbim informacioni dhe provash është e detyruar të kalojë në disa procedura. Ajo është e nevojshme të firmoset në gjykatat e atij vendi dhe vetëm pas miratimit u dorëzohet hetuesve të çështjeve përkatëse që të shënojnë informacionet dhe provat e duhura. Edhe pasi kjo letër-porosi plotësohet me informacionin e kërkuar, duhet të kalojë përsëri në gjykatë, ku do të regjistrohet dhe miratohet për t’u dërguar në Shqipëri. Sipas burimeve, një procedurë e tillë është e nevojshme edhe për një informacion të vetëm dhe zgjat edhe me muaj të tërë. Një informacion apo provë e tillë, që është e rëndësishme të bashkangjitet në dosje, ndonjëherë vonon përfundimet e hetimeve, përfundojnë burimet e organit qendror të akuzës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›