E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ceka e Ndoka: Ndryshimi i Kodit Zgjedhor, në dorë të PD-së e PS-së

Zgjedhjet e 28 qershorit lanë jashtë sallës së Parlamentit gjashtë parti politike, të cilat nuk e përjetuan mirë një gjë të tillë. Krerët e këtyre partive politike, të cilat deri më datë 28 qershor ishin pjesë e Parlamentit, reaguan ashpër duke bërë fajtor Kodin Zgjedhor dhe dy partitë e mëdha, PD-në dhe PS-në, për diskriminimin që iu bënë partive të vogla. Ndaj partitë e vogla dhe konkretisht Ndoka dhe Ceka, kanë kërkuar që në zgjedhjet e ardhshme të ndryshohet Kodi Zgjedhor. Sipas kryetarëve të partive të vogla, nëse nuk ndryshohet Kodi Zgjedhor e ardhmja e tyre në politikë do të jetë e pashpresë, pasi sistemi zgjedhor nga PD-ja dhe PS-ja nuk është në krah të partive të vogla. Ndaj Ceka dhe Ndoka mbështesin kërkesën e LSI-së për një ndryshim rrënjësor të Kodit Zgjedhor të miratuar gati një vit më parë vetëm me votat e PD-së e të PS-së. Por ata janë të ndërgjegjshëm që për ndryshimin e këtij Kodi duhet vullneti i dy partive të mëdha, në këtë rast edhe i PS-së, sepse e vetme mazhoranca së bashku me LSI-në nuk do të arrijnë t‘i miratojnë kurrë këto ndryshime. Kjo, për vetë faktin se në Kushtetutë është e fiksuar qartë që për ndryshimin e Kodit Zgjedhor duhet të paktën 94 vota në Kuvend, ndërkohë që aktualisht PD-ja dhe LSI-ja së bashku arrijnë të kenë vetëm 74 mandate deputetësh. Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, thekson se "është bërë domosdoshmëri ndryshimi i këtij Kodi Zgjedhor. Besoj që çelësin për ndryshimin e Kodit tashmë e ka Partia Socialiste, sepse Partia Demokratike nuk ka votat as për zgjedhjen e Kryeministrit dhe jo më për zgjedhjen e Kodit, kjo është shumë e rëndësishme. As PD-ja së bashku me LSI-në nuk i ka votat e mjaftueshme për ndryshimin e Kodit Zgjedhor". Po kështu mendon edhe kryetari i PAD-së, Neritan Ceka, i cili thekson se "ndryshimi i sistemit është pjesa më e vështirë, sepse kërkon 94 vota, meqë sistemi aktual është fiksuar në Kushtetutë. Dhe kjo mund të arrihet nga dy partitë e mëdha politike, si rrjedhim dhe një ndryshim në Kodin Elektoral do të përcaktohet nga interesat e këtyre partive. Në të ardhmen, nëse do të qëndrojë ky sistem nuk ka asnjë kuptim të qëndrojnë më partitë e vogla, partitë e vogla duhen konturuar brenda blloqeve, sepse sistemi i përjashton ato nga konkurrenca". Ceka dhe Ndoka mbështesin propozimin e bërë nga LSI-ja, e cila është për sistem zgjedhor proporcional kombëtar me një prag prej 2%. Sipas tyre, ky sistem u jep mundësi të gjejnë veten të gjitha forcat politike në zgjedhjet e përgjithshme, pasi në rang kombëtar partitë e vogla kanë marrë vota, por duke qenë se ky prag në qarqe të ndryshme ka qenë mjaft i lartë, ata nuk kanë mundur të përfitojnë asgjë. Por kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, është shprehur kundër ndryshimit total të Kodit Zgjedhor, i cili u aplikua për herë të parë më 28 qershor. "Ne rreshtuam në mënyrë maksimale transparencën për shkak të Kodit; ne zvogëluam në mënyrë maksimale ankesat për shkak të Kodit dhe arritëm të mbyllim procesin zgjedhor për herë të parë brenda afateve ligjore për shkak të përcaktimeve të këtij Kodi. Nuk do të isha në parim pro ndryshimit në themel, ndërsa jam pro ndryshimit për ato që praktika tregoi se mund të ishin më mirë", është shprehur Ristani. Megjithëse është ende herët për të përcaktuar fatin e këtij Kodi Elektoral, një gjë është e sigurt, gjatë këtyre katër viteve refreni i politikës shqiptare do të jetë sërish sistemi zgjedhor dhe ndryshimi i Kodit aktual. Se çdo të ndodhë nëse PS-ja do të jetë pro kësaj kërkese të bërë nga partitë e vogla, kjo mbetet për t‘u parë.

Kërkesa

LSI kusht PD për bashkëqeverisje, ndryshimin e Kodit

LSI-ja është një nga partitë politike, e cila ka kërkuar me ngulm ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Para një viti, kjo forcë politike ishte e pafuqishme të ndalonte dy partitë e mëdha, PD-në dhe PS-në, ta miratonin këtë Kod, ndaj në zgjedhjet e 28 qershorit kjo forcë politike u penalizua dhe për këtë bëri fajtore PS-në. Pas publikimit të rezultatit të zgjedhjeve u duk qartë se asnjëra forcë politike nuk arriti të krijonte dot e vetme qeverinë ndaj demokratët me një epërsi të lehtë në rezultat i kërkoi LSI-së të bashkëqeverisë në katër vitet e ardhshme me të. Kërkesë kjo që u pranua nga PD-ja dhe tashmë LSI-ja pret që pas krijimit të qeverisë së re PD-ja të nisë punën për ndryshimin e Kodit. LSI-ja ka propozuar sistemin proporcional kombëtar me prag 2% dhe kërkon mbështetjen e PD-së për miratimin e tij. Ndërkohë që kjo e fundit duhet të nisë negociatat me PS-në për ta realizuar këtë kërkesë të LSI-së, pasi e vetme PD-ja nuk arrin të ndryshojë një Kod, i cili sipas Kushtetutës kërkon 94 mandate. Por kreu i PS-së, Rama, nga ana e tij është shprehur se Kodi është i mirë dhe PS-ja nuk e kërkon ndryshimin e tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›