E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet për kontrabandë tiranasi, hetohet doganieri

Një tregtar nga Tirana është arrestuar dje në Kakavijë, i akuzuar për kontrabandë me artikuj të ndryshëm në pikën e kalimit kufitar në Kakavijë dhe një doganier i kësaj pike është vënë nën hetim.

Tregtari 39-vjeçar nga Tirana është bllokuar pasditen e së shtunës rreth orës 18.00 nga agjentët e sektorit të luftës kundër krimit ekonomiko-financiar pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër dhe pas kontrollit atij i është sekuestruar malli, automjeti dhe është arrestuar në orët e para të ditës.

Sipas burimeve të policisë, arrestimi në flagrancë i shtetasit Panajot Dumi, lindur dhe banues në qytetin e Tiranës, është bërë për arsye se ky shtetas ka hyrë nëpërmjet pikës së kalimit të kontrollit kufitar Kakavijë rreth orës 13.00 të së shtunës, me një furgon tip "Mercedes Benz" me targa TR 4714 N, në të cilin kishte ngarkuar mallra si frigoriferë, kondicionerë, televizorë, rroba dhe një sasi me copa gjysmë të gatshme për qepjen e fustaneve.

Këto mallra, sipas policisë, tregtari nga Tirana i kishte blerë në Athinë dhe në momentin e kontrollit të policisë ai kishte kaluar kontrollin doganor dhe ishte duke i transportuar për në Tiranë, duke iu shmangur të gjitha detyrimeve doganore në pikat e kontrollit doganor në Kakavijë.

Ekspertët e sektorit të luftës kundër krimit ekonomiko-financiar pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, bënë të ditur se në bazë të informacioneve të marra prej tyre në rrugë operative është bërë e mundur që një patrullë të ngrejë një postbllok në aksin rrugor Kakavijë - Gjirokastër në vendin e quajtur Vrisera, ku pas bllokimit dhe sekuestrimit të mjetit së bashku me mallrat kontrabandë është nxjerrë edhe urdhri i arrestit në flagrancë për shtetasin e lartpërmendur, i cili akuzohet për kryerjen e veprës penale të "kontrabandës me mallrat e licencuar", parashikuar nga neni 173 i Kodit Penal.

Gjatë hetimeve të para për këtë rast kontrabande, policia ka dyshime për bashkëpunim mes tregtarit kontrabandist dhe një doganieri të pikës doganore të Kakavijës. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër po punohet për zbardhjen e plotë të këtij rasti, duke filluar hetimet paralelisht edhe për doganierin e turnit, shtetasin me inicialet N.T., i cili aktualisht ndiqet në gjendje të lirë për akuzën "shpërdorim i detyrës", parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›