E Diel, 1 Nëntor 2026

Partitë që rrezikojnë të mos marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme

Partitë politike, të cilat nuk mundën të fitojnë asnjë mandat në zgjedhjet e 28 qershorit, duhet t‘i kthejnë mbrapsht KQZ-së paratë e marra, në të kundërt këto parti do të penalizohen financiarisht dhe në të ardhmen nuk do të marrin pjesë në garat elektorale për pesë vjet me radhë. Kjo deklaratë bëhet nga kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, i cili u kujton partive politike se kërkesa e tij është në përputhje me Kodin Zgjedhor. "Në rast se nuk i kthejnë këto fonde, atëherë nuk do të marrin financim më nga buxheti i shtetit për pesë vitet e ardhshme, por dhe nuk do të lejohen të garojnë në zgjedhjet e ardhshme, në rast se sipas ligjit nuk do t‘i kthejnë këto fonde, të cilat janë marrë dhe janë të detyruar t‘i kthejnë", ka theksuar Arben Ristani. Sipas kreut të KQZ-së, kthimi i këtyre lekëve nga pesë partitë politike që nuk arritën të përfitojnë asnjë mandat në zgjedhjet e 28 qershorit duhet të kthehen deri më 31 gusht. Partitë që kanë marrë paratë dhe që tashmë duhet t‘i kthejnë janë: Partia Aleanca Demokratike e drejtuar nga Neritan Ceka, e cila ka marrë 1 920 479 lekë, Partia Agrare Ambientaliste e drejtuar nga Lufter Xhuveli ka marrë 2 644 556 lekë, Partia Social Demokrate e drejtuar nga Skënder Gjinushi ka marrë 5 136 667 lekë, Partia Demokracia Sociale e drejtuar nga Paskal Milo ka marrë 1 711 151 lekë dhe Partia Demokristiane e drejtuar nga Nard Ndoka ka marrë 1 315 153 lekë. Shuma që këto parti i kanë borxh KQZ-së dhe që duhet t‘ia kthejnë deri në fund të gushtit arrin në total 12.7 milionë lekë. Sipas Kodit Zgjedhor, këto parti duhet t‘ia kthejnë lekët KQZ-së 30 ditë pas shpalljes së rezultatit zyrtar të zgjedhjeve. Depozitimi i këtyre shumave bëhet në llogarinë bankare të KQZ-së. Në rast të mospërmbushjes së këtij detyrimi, KQZ-ja i kërkon zyrës së Thesarit t‘i mbajë nga fondet e tjera buxhetore që përfitojnë këto parti dhe t‘i kalojë ato në buxhetin e KQZ-së. Paratë që do të kthejnë të vegjlit, do t‘u shpërndahen partive që fituan mandate. Por, për herë të parë në këto zgjedhje do të hetohet nga ekspertë privatë edhe destinacioni i këtyre fondeve. 11 forca politike, pjesëmarrëse në Parlamentin e dalë nga zgjedhjet e 2005-ës, përfituan në total një fond prej 65 milionë lekësh, shumë kjo që u shpërnda sipas dy formulave të ndryshme, gjysma sipas mandateve me të cilat përfaqësoheshin në Kuvend dhe gjysma e dytë në bazë të votave të fituara në parlamentaret e shkuara. Pro kthimit të parave të marra në KQZ nga partitë që nuk përfituan mandate në zgjedhjet e 28 qershorit është edhe nënkryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi. Gjithashtu ajo kërkon të zbardhen edhe financimet e bëra ndaj partive politike gjatë fushatës elektorale. Ajo ka informuar se në tetor pritet edhe zbardhja e financimeve të fushatave, proces pas të cilit zgjedhjet e 28 qershorit do të mund të quhen përfundimisht të mbyllura. "Për nga procedurat që jep Kodi shpresoj që deri në muajin tetor ne të kemi një përmbyllje dhe të këtij aktiviteti, çka përbën edhe tërësisht përmbylljen e të gjitha problematikave zgjedhore të vitit 2009", ka deklaruar nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi. Ndërkohë, këto ditë KQZ-ja do të hedhë edhe shortin për ekspertët kontabël që do të hetojnë financat e partive politike gjatë, para dhe pas 28 qershorit.

Përgjigjja

Ndoka: Do ia kthejmë paratë KQZ-së

Pas kërkesës së bërë nga KQZ-ja që të kthejnë paratë partitë politike, të cilat nuk arritën të përfitojnë asnjë mandat në zgjedhjet e 28 qershorit, i është përgjigjur pozitivisht vetëm kryetari i PDK-së, Nard Ndoka. Ai ka deklaruar publikisht se brenda të gjitha afateve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor do të kthejë në KQZ shumën që i është dhënë nga ky institucion gjatë fushatës elektorale. Shuma që demokristianët kanë marrë nga KQZ-së është 1 315 153 milionë lekë. Por duket se kërkesa e KQZ-së nuk do të gjejë të njëjtën mbështetje te partitë e tjera politike, të cilat u penalizuan nga zgjedhjet e 28 qershorit. Kryetari i PAD-së, Neritan Ceka, ka deklaruar se nuk ka ndërmend t‘i kthejë këto para, duke lënë të kuptojë se është gati të presë penalizimet që i parashikon Kodi Zgjedhor. Nga zgjedhjet e 28 qershorit, PAD-ja, PSD-ja, PDS-ja, PDK-ja dhe PAA-ja nuk arritën ta kalonin pragun elektoral dhe për rrjedhojë nuk arritën të përfitonin asnjë mandat deputeti për në kuvendin e ri, duke i nxjerrë kështu nga aktiviteti i përditshëm politik dhe nga Kuvendi pas 18 vjetësh pluralizëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›