Policia shton kontrollet për të shmangur aksidentet
Policia e Korçës shton gjobat ndaj drejtuesve të mjeteve si masa e vetme për të parandaluar aksidentet automobilistike të shtuara kohët e fundit. Shërbimeve të përforcuara të qarkullimit rrugor u janë shtuar edhe ato të task-forcës nga Tirana, me kontrolle të shumta si në akset rrugore kryesore edhe në ato të qyteteve kryesore. Prej disa ditësh, grupet e task-forcës nga Tirana kanë zhvilluar kontrolle të shumta të mjeteve në qytetet e Pogradecit, Korçës dhe Bilishtit, ku kanë vendosur gjoba të shumta për drejtuesit e mjeteve të kapur me shkelje. Nga njëra anë shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor të shoferëve, por edhe nga ana tjetër mungesa e sinjalistikës rrugore, ka bërë që në akset rrugore të rajonit të Korçës, sidomos në superstradën Korçë - Qafë-Plloçë dhe atë Korçë - Kapshticë të regjistrohen aksidente të shumta automobilistike me pasojë në plagosje dhe udhëtarë të vdekur. Vetëm gjatë muajit gusht, policia e qarkullimit rrugor në Korçë ka vendosur për drejtuesit e mjeteve 1100 masa administrative për shkeljet e konstatuara në qarkullim nga drejtues mjetesh. Ndërsa muajin e kaluar numri i gjobave për shkelje administrative ka arritur në 3200. Që nga muaji korrik e në vazhdim, në rajonin e Korçës janë shënuar disa aksidente automobilistike, ku ka pasur persona të vdekur dhe të plagosur. Policia tha se gjatë muajit korrik janë shënuar 7 aksidente automobilistike me një person të vdekur dhe 7 të tjerë të plagosur. Muaji gusht filloi po me aksidente, pasi në superstradën Korçë - Qafë-Pllocë pati një fëmijë të vdekur në rrugë dhe dy persona të tjerë u plagosën. Faktit që numri i aksidenteve automobilistike ka ardhur në rritje, si edhe nga gjendja e rënduar e qarkullimit të mjeteve për shkak të ardhjes së mijëra emigrantëve nga Greqia me makinat e tyre, ka bërë që policia e Korçës të përqendrohet në më shumë masa për disiplinimin e lëvizjes së mjeteve në rrugë. Ardhja e mjeteve të shumta nga Greqia shpesh shkakton kaos lëvizjesh në qytetin e Korçës, por për fat nga ky shtim i numrit të makinave nuk janë regjistruar aksidente automobilistike.