E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vonohen tragetet e linjës Bari-Durrës

Mbi 13 mijë emigrantë kanë hyrë gjatë kësaj fundjave në vend nga pika kufitare e Portit Detar të Durrësit. Tragetet kanë mbërritur ditën e djeshme me 2.5 - 5 orë vonesë, pasi nisja nga Porti i Barit është bërë tepër vonë, duke shtyrë në kohë afatet e lundrimit dhe mbërritjes në portin më të madh shqiptar. Ngjarja e rëndë kriminale në të cilën mbetën të vrarë katër agjentët e policisë shqiptare dhe zhvillimi i ceremonisë mortore kanë ndikuar edhe në lëvizjet e trageteve nga Durrësi drejt porteve italiane dhe rrjedhimisht dhe kthimi i tyre është shtyrë me disa orë. Elisabeta Murra, që sapo ka zbritur nga trageti "Arbëria" i linjës Bari-Durrës, tregon se kanë pasur një natë të lodhshme, pasi u është dashur të imbarkohen në traget rreth tri orë pas orarit të deklaruar të nisjes së tij. "U futëm në traget rreth orës 02.00 dhe në Portin e Barit një polic na tha se nuk ishte faji i autoriteteve bareze për këtë vonesë, por situata e krijuar në Shqipëri, pas vrasjes së katër punonjësve të policisë në plazhin e Durrësit", thotë e reja, ndërsa tregon se të tjerë tragete që duhet të niseshin në të njëjtin orar me tragetin e tyre, rreth orës 23.00 të së shtunës, janë nisur edhe më vonë. Burime të policisë portuale dhe asaj kufitare në Durrës pohuan për gazetën "Shqip" se të gjitha tragetet e planifikuara për të mbërritur mëngjesin e djeshëm, për shkak të vonesave të krijuara një ditë më parë gjatë nisjes së tyre nga Durrësi, kanë mbërritur në orare të ndryshme përgjatë ditës së diel. Gjithsesi, pas mbërritjes në port, procedurat e zbarkimit dhe përpunimit të udhëtarëve e automjeteve kanë qenë të shpejta dhe pa krijuar radhë për ta. Sportelet e kontrollit të policisë kufitare kanë qenë të gjitha të hapura, duke mundësuar veprime të shpejta dhe pa shqetësime.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›