Përplaset me shtyllën, vdes 24-vjeçari
Një aksident me pasojë vdekjen e një të riu ka ndodhur në qytetin e Fierit pasditen e së dielës. Aksidenti ka ndodhur në orën 16.00 në unazën veriore të qytetit, në afërsi të kryqëzimit të Grecallisë. 24-vjeçari Vilson Mekolli ka qenë duke drejtuar automjetin e tij të tipit "Fiat Bravo" me targa italiane AJ148MN. Ai lëvizte nga qendra e qytetit në drejtim të Unazës, kur si shkak i shpejtësisë së madhe ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur me një shtyllë të tensionit të lartë. Së bashku me një pjesë të shtyllës, makina e tipit "Fiat Bravo" është përplasur më pas me një mur betoni që rrethonte një banesë aty pranë. Përplasja ka qenë fatale për të riun, banor i lagjes "15 Tetori" në qytetin e Fierit. Prej burimeve zyrtare të Policisë së Fierit mësohet se Vilson Mekolli ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Ai ka pasur dëmtime të rënda në kokë, që i kanë shkaktuar vdekjen. Policia deklaron se trupi i viktimës është dërguar menjëherë në morgun e spitalit të Fierit, ku mësohet se e kanë marrë të afërmit disa orë pas aksidentit për kryerjen e riteve mortore. Ndërkohë, mjeti "Fiat" me ngjyrë gri është larguar nga vendi i ngjarjes pas matjes dhe ekspertizave. Ekspertët e policisë së qarkullimit pohojnë se edhe kilometrazhi i mjetit ka treguar shpejtësinë me të cilën udhëtonte i riu. Mjeti pas dy përplasjeve ka pësuar dëmtime të mëdha në pjesën e përparme. Xhami i parë dhe një pjesë e kroskotit i ka dëmtuar trupin të riut. Aksidentet në Qarkun e Fierit janë rritur ndjeshëm gjatë këtij viti, ndërsa në këto ditë të sezonit veror qarkullimi pothuajse gjatë gjithë ditës në qytet dhe në akset hyrëse e dalëse të tij është i rënduar.