Ceka i bën qejfin gruas

Të gjithë ata trashëgimtarë të shkrimtarëve që nuk kanë mundur të shpërblehen në vitet ‘86-91 për ribotimin e veprave, do të gëzojnë frytin e të afërmit të tyre. Në këtë kategori përfshihet edhe bashkëshortja e Neritan Cekës, mbesa e të madhit Migjen.
Komisioni i Medias miratoi dje njohjen e së drejtës së autorit për periudhën 1968-1991, kur kjo e drejtë iu është mohuar autorëve në rastin e ribotimit të veprave. Nismëtari i projektligjit, i cili do të duhet të miratohet edhe në seancë plenare, është Neritan Ceka, bashkëshortja e tij e të cilit është mbesa e Migjenit (Millosh Gjergj Nikollës) nga e ëma dhe e Petro Nini Luarasit (nga i ati, Skënder Luarasi). Ceka pohoi se bashkëshortja ia kishte propozuar këtë ide. “Unë dua të them edhe një detaj që do të jetë i kuptueshëm. Kjo nismë bëhet edhe me shtytjen e gruas sime, që është mbesa e Migjenit. Ka një lloj konflikti interesi, por është i pashmangshëm. Migjeni është daja i gruas sime, kështu që s’ka përfituar familja e tij që nga viti 1968 deri në ‘90”, - deklaroi kreu i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka. Anëtarët e komisionit më tej, me doza humori, kanë “ngacmuar” Cekën. “Ti, Diana, duhet të shikosh ndonjë lidhje me vëllezërit Frashëri, ndërsa unë me Konicën”, - i është drejtuar Alfred Dalipi deputetes së PSD-së, Diana Çulit. Vetë Ceka e paralajmëroi konfliktin e interesit, pasi në një farë mënyre, vetë nismëtari do të mund të marrë shpërblimin e merituar, nëse ligji miratohet. Por, duhet thënë plotësisht me korrektesë se qëllimi është jashtëzakonisht i mirë, për të ribotuar veprat e figurave të mëdha të kombit, pavarësisht lidhjeve që mund të përkojnë me personazhe të rëndësishëm të politikës dhe vendimmarrjes shtetërore.
Gjithsesi, duhet vërejtur që me këtë rast, nuk do të përfitojë vetëm bashkëshortja e aleancistit, por trashëgimtarët e të gjithë shkrimtarëve të tjerë, si Gjergj Fishta, Lasgush Pogradeci, Mitrush Kuteli etj., që nuk janë shpërblyer gjatë periudhës 1968-1991, për ribotimin e veprës së tyre. Në bazë të ligjit aktual, “Mbi të drejtën e autorit”, neni 11, “Autorit i përket e drejta që të marrë vetëm një herë shpërblim për botimin, ose përdorimin në çdo mënyrë tjetër të veprës”. Kësisoj, shkrimtarëve të sipërpërmendur apo trashëgimtarëve të tyre iu mohua e drejta e shpërblimit për ribotimin e veprave përgjatë periudhës ‘68-‘91. “Projektligji synon dhënien e së drejtës së autorit pas vdekjes së tij. Kjo nismë është në përputhje me ligjet ndërkombëtare, por Shqipëria ka një specifikë se, që nga 1968 dhe deri më 1990, familjet nuk kanë marrë asgjë, sepse ka dalë një ligj që e paguante të drejtën e autorit vetëm një herë. Ashtu siç bëhet për pronësitë e tjera të tokës apo pasuritë e tjera të patundshme, është një e drejtë e familjes ta marrë këtë periudhë të humbur”, - u shpreh Ceka në mbledhjen e djeshme të komisionit. Ai kërkoi korrigjimin e padrejtësisë. Sipas propozimit të Cekës, drejtësia rikthehet, nëse në fund të pikës 1 të nenit 21 shtohet një fjali e dytë, që thotë: “Në këtë kohëzgjatje nuk përfshihen vitet 1968-1991, kur kjo e drejtë është mohuar nga legjislacioni i periudhës së diktaturës komuniste”. Pengesa e parë e arritjes së qëllimit të frymëzueses së propozimit, kaloi dje, ndërsa mbetet akoma miratimi në Kuvend, që me shumë gjasa do të miratohet dhe do të mund të gëzojë kategorinë e trashëgimtarëve të shkrimtarëve, që nuk janë shpërblyer për ribotimin e veprave të tyre. saqellari@korrieri.com